Në vitin 2018, Albin Kurti si opozitar, kritikonte menaxhimin e trafikut dhe mungesën e përgjegjësisë institucionale, duke e lidhur atë me rritjen e aksidenteve fatale.
“Politikat e dështuara në administrimin e trafikut rrugor dhe kultura e papërgjegjësisë e cila merr modelin e keq nga disa njerëz të pushtetshëm kanë sjellë situatën ku shumë jetë po merren prej aksidenteve rrugore”, kishte deklaruar Albin Kurti, atëherë në opozitë, duke kritikuar ashpër qasjen institucionale ndaj sigurisë në trafik dhe mirëmbajtjes së rrugëve.
Këto deklarata të vitit 2018, të bëra në një periudhë kur ai ngushëllonte familjarët e viktimave të një aksidenti në magjistralen Prishtinë–Gjilan, sot janë rikthyer në vëmendje, pas një tjetër ngjarjeje tragjike në komunikacion.

Të dielën, në autostradën “Ibrahim Rugova”, është shënuar një aksident i rëndë trafiku, ku si pasojë ka humbur jetën një grua, ndërsa një burrë ka mbetur i lënduar.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:40, në drejtimin Malishevë–Prishtinë, sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës.
Pikërisht në vendin e aksidentit kishte pasur shembje të dheut dhe rruga ishte e papastruar.
Viktima ishte pasagjere në automjetin e përfshirë në aksident, ndërsa drejtuesi i mjetit ka pësuar lëndime dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po vazhdon të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore, të cilat kanë bërë ekzaminimin fillestar të rrethanave të aksidentit. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet lidhur me shkaqet e sakta të aksidentit janë ende në zhvillim.
Policia deklarohet për aksidentin ku humbi jetën një grua në autostradë
Ngjarja ka hapur sërish debat për gjendjen e sigurisë në autostrada dhe nivelin e mirëmbajtjes së infrastrukturës rrugore në vend.
Në këtë kontekst, janë rikthyer edhe deklaratat e mëhershme të kryeministrit Kurti, i cili si opozitar kishte kritikuar ashpër mënyrën e administrimit të trafikut rrugor, duke theksuar se mungesa e përgjegjësisë institucionale dhe menaxhimi i dobët i infrastrukturës po kontribuojnë në rritjen e numrit të aksidenteve me pasoja fatale.
Sot, kur ai mban postin e kryeministrit, rasti i fundit ka rikthyer pyetjet mbi atë se sa janë adresuar realisht problemet që dikur ishin në qendër të kritikave të tij.
“Burim Ramadani nga Aleanca, thotë se për “dheun në autostradë duhet përgjegjësi penale”.
Sot, para pak minutash, një aksident i rëndë në autostradën ‘Ibrahim Rugova’, afër Malishevës. Dheu i papastruar sërish rrezikon jetën e qytetarëve. Në fakt, qeveria dembele assesi s’po e mirëmban rrugën! Dhe, me gjasë, siguria e jetës së qytetarëve nuk është as në mendjen e qeveritarëve! Lutem për jetën e të aksidentuarve”, shkroi Ramadani teksa publikoi edhe pamje.
Edhe Ermal Sadiku nga LDK, tha se një person humbi jetën në aksident në autostradën “Ibrahim Rugova” për shkak “rrugës se papastruar”.
Sadiku fajësoi qeverinë që tha se “nuk ka më as moral, as përgjegjësi”
“Kam shpresuar që e gjithë ajo fushatë, presioni publik dhe videot e shumta për këtë problem do të ndikonin sadopak që çështja të merrej më seriozisht. Por kjo qeveri në detyrë, tash e një vit e gjysmë, duket se nuk ka më as moral, as përgjegjësi. Ju ka humbur njerëzillëku dhe empatia. Nuk kanë dashuri as për qytetarin, as për shtetin vetëm për pushtetin. Turp. E neveritshme. Të gërrditshëm”, shkroi ai në një postim në Facebook.
“Një copë dhe, që prej tri vitesh nuk arrini ta largoni. Një problem i njohur, i raportuar e i denoncuar vazhdimisht. Amatera”, shtoi ai./Paparaci








