Profesori i Universitetit të Prishtinës, Ardian Kastrati , tha se njerëzit që kanë kundërshtuar idenë e korrigjimit të kufirit nuk kanë pasur argument.
Ai tha se ata që kanë kundërshtuar idenë e korrigjimit, nuk kanë argumentuar. “Ata janë patetizma, është për konsum të brendshëm dhe për zgjedhje lokale”, tha ai në emisionin “STRIKE”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK3).
Sipas tij më shumë po kundërshtohet ideja për shkak se ata që kanë kundërshtuar Thaçin, kanë dalë humbës nga beteja politike.
Kastrati tha se Samiti i Berlinit që u mbajt ditë më parë, nuk ka sjell risi sa i përket korrigjimit. “Jam i bindur se Samitit i Berlinit është organizuar për nevoja të BE-së, pra ka qenë qëllim që të qetësohet, për shkak të zgjedhjeve në BE. Samiti i Berlinit rrjedhimisht nuk ka sjellë asgjë”, tha ai. Kastrati tha se duhet të shikohet letrat e presidentit Trump, se cila është politika edhe kahja për Kosovën e Serbinë. Sipas tij pesë mijë njerëz në Karadak jetojnë në Kosovë e nuk kanë nënshtetësi.