Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se edhe nesër do të ketë kufizime të përkohshme në qarkullimin e automjeteve për transportin e mallrave me masë totale mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave, të cilat pritet të arrijnë në 32 gradë Celsius ose më shumë.
Kufizimi i qarkullimit në autoudhë do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30.
Ndërkohë, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse nuk do të ketë kufizime, pasi nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me vendim.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e temperaturave dhe do t’i njoftojë me kohë qytetarët dhe operatorët ekonomikë për çdo ndryshim në zbatimin e masës.








