Kryepeshkopi pas sulmit ndaj Mitropolisë së Kosovës: Të deklarohesh ortodoks në Kosovë duket se është rrezik

Kryepeshkopi Nikoll Xhufka ka reaguar pas sulmit ndaj Mitropolisë së Kosovës, duke thënë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit dhe se nuk është hera e parë që përballen me incidente të tilla.

Në një intervistë për emisionin “Kosova Today”, Xhufka tha se fillimisht nuk e kishte kuptuar se çfarë kishte ndodhur, por më pas pa se në drejtim të objektit ishin hedhur tulla.

“Është për të ardhur keq që në këto kohë jetojmë këto incidente. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 3 të mëngjesit. Unë jetoj këtu dhe jam zgjuar, kam dalë jashtë godinës. Fillimisht kam menduar se nuk ishte diçka, por kur pashë dritaret dhe tullat, kuptova se kishin tentuar t’i thyenin xhamat. Kjo nuk është normale. Kemi thirrur Policinë dhe i lutemi Zotit, por edhe organeve kompetente, të na ndihmojnë, sepse nuk është hera e parë”, tha ai.

Sipas Xhufkës, sulmi ndodhi një ditë pasi ishte bërë publik fakti se ortodoksët shqiptarë tashmë kanë kishën e tyre.

“Por të deklarohesh se je ortodoks, mesa duket në Kosovë qenka rrezik. Kjo lloj dhune ka ndodhur një ditë pasi është bërë publike se ortodoksët shqiptarë tashmë kanë Kishën e tyre”, u shpreh Kryepeshkopi.