BE kritikon vendimin e KPK-së për prokurorët serbë: Mos pengoni riintegrimin

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë në Kosovë, pas vendimeve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për ndërprerjen e kontratave të punës të prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët ishin larguar nga sistemi i drejtësisë në vitin 2022.

Në një reagim zyrtar, BE-ja ka theksuar se Kosova, sipas Kushtetutës së saj, është një shoqëri multi-etnike dhe se institucionet e saj duhet të reflektojnë këtë karakter, përfshirë edhe sistemin e drejtësisë.

“BE-ja në vazhdimësi ka bërë thirrje që Kosova të mundësojë ri-integrimin e serbëve të Kosovës në sistemin e drejtësisë, në përputhje me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjet e Dialogut”, thuhet në reagimin e Bashkimit Evropian transmeton Klankosova.tv.
BE-ja ka mirëpritur tërheqjen e dorëheqjeve nga gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës serb i Kosovës, por ka shprehur shqetësim për vendimet pasuese të institucioneve të Kosovës.

Sipas reagimit, vendimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet pasi ato ishin tërhequr më herët, si dhe vendimi i ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për dekretimin e tyre, ngre shqetësime sa i përket respektimit të ligjit dhe procedurave.

“BE-ja është e shqetësuar nga vendimi i djeshëm i Këshillit Prokurorial të Kosovës për të pranuar dorëheqjet që ishin tërhequr tashmë dhe nga vendimi i sotëm i Presidentit në detyrë që dekretoi dorëheqjet. Kjo duket e papajtueshme me ligjin, me procesin e rregullt ligjor dhe kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë”, thuhet në komunikatën e BE-së.

Në fund të reagimit, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje institucioneve përkatëse të Kosovës që të shmangin çdo veprim që mund të pengojë riintegrimin e personelit gjyqësor serb në sistemin e drejtësisë.

“BE-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të përmbahen nga veprimet që synojnë parandalimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës”, thuhet në komunikatën e publikuar.

Të hënën, KPK bëri të ditur se kishte refuzuar kërkesën e ish-prokurorëve serbë që kishin kërkuar që t’u mundësohej rikthimi në vendet e tyre të punës, pasi kishin dhënë dorëheqje nëntorin e vitit 2022, kur përfaqësuesit serbë u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të vendit.

Ndërkaq sot, U.D. e Presidentes, Albulena Haxhiu, njoftoi se ka dekretuar lirimin e tyre nga detyra.

“Pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022, kam nënshkruar dekretet për lirimin e tyre nga detyra”, tha Haxhiu në një postim në Facebook.