Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paraparë mekanizëm të ri kontrolli gjatë numërimit të votave për zgjedhjet e 7 qershorit, me synim parandalimin e manipulimeve që janë evidentuar në procesin e para gjashtë muajve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se është ndryshuar Rregullorja Zgjedhore për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, së cilës i është shtuar një dispozitë e re.
“Konkretisht, është paraparë që pas pranimit të materialeve zgjedhore nga vendvotimet e rregullta në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, KQZ-ja vlerëson situatën dhe sipas nevojës mund të vendosë rinumërimin e votave deri në 10% të vendvotimeve të përzgjedhura në mënyrë të rastësishme”, ka thënë Elezi.
KQZ-ja nuk ka ndryshuar edhe rregulloren që përcakton kriteret për angazhimin e komisionerëve. Ajo nuk lejon të angazhohen persona që janë dënuar me vendim të formës së prerë në tre vjetët e fundit, por nuk ua mohon përfshirjen në proces personave që janë nën hetime.
Në KQZ kanë thënë se çështja e përzgjedhjes së komisionerëve do të trajtohet me kujdes.
E, të mërkurën, ky institucion ka miratuar Rregulloren e re për vëzhguesit e zgjedhjeve, e cila parasheh ndalimin e certifikimit për personat që kanë probleme me ligjin.









