Kosova refuzon kërkesën e Bosnjës për heqjen e taksës
Ndihmësministri i Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnjë dhe Hercegovinës, Mithat Saliq, ka deklaruar se pasi kanë parë se nuk mund të arrihet deri te heqja e pakusht e taksës për Bosnjën, kanë propozuar që Kosova të suspendojë për gjashtë muaj taksën 100 përqind për mallrat nga BeH dhe ndërkohë që institucionet përgjegjëse të bisedojnë për çështje kontestuese.
Ky propozim nuk u pranua nga pala kosovare.
Saliq i bëri këto komente pas takimit ndërmjet delegacionit të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Kosovës, të organizuar nga Ministria e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike e BeH.
Ai tregoi për kërkesat e delegacionit të Kosovës, duke thënë se Ministria e Tregtisë së Jashtme, merret me çështje ekonomike dhe jo me politikë.
“Është bërë hapi i parë i madh në zgjidhjen e problemit të madh, edhe pse kjo nuk mund të zgjidhet vetëm me një takim. Kemi sqaruar shumë gjëra deri në detaje dhe tash e dimë se çfarë kërkojnë dhe presin të dyja palët. Qëndrimet para takimit ishin radikalisht të kundërta. Qëndrimi ynë ishte që pala kosovare të heqë taksën prej 100 për qind ndaj mallrave të BeH dhe pala kosovare siç e dini pret që Bosnja ta njohë Kosovën. Natyrisht, kjo nuk është fusha jonë dhe këtë nuk mund ta diskutojmë. Ne kemi diskutuar për çështje të ekonomisë dhe në plan të parë zbatimin e marrëveshjes së CEFTA-s, e cila duhet respektuar”, ka thënë Saliq.