ufta në Ukrainë ka marrë fokusin e Evropës dhe ideja që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat në BE nuk është në planet e Unionit.
Kështu po mendon ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, i cili, në një intervistë për Info Magazine në Klan Kosova, theksoi se pengesë janë edhe vendet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën
“Ju dhe shikuesit tuaj e dinë që Kosova aplikoi për të marrë statusin e vendit kandidat me 15 dhjetor të vitit 2022, tani kjo është një kohë e gjatë. Në Evropë fokusi goxha shumë është në Ukrainë dhe që ky vend të bëhet anëtare e BE-së. Siç e thashë më parë, ne duam t’i kemi vendet e Ballkanit Perëndimor pjesë e Unionit po ashtu”.
“Tani, ju e dini që ka një numër anëtaresh të BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Por, për të qenë të saktë, janë pesë vende mosnjohëse dhe duhet që të ketë diskutime brenda BE-së që të çohet përpara aplikimi i Kosovës”, deklaroi Westerlund.
Ai shtoi se të bëhesh anëtare e Bashkimit Evropian është një detyrë e komplikuar, “pyeteni Shqipërinë e Malin e Zi që u është dashur vite dhe ato po përparojnë”.
“Kur Suedia u bë anëtare e BE-së në të ‘90-tat, iu deshën disa vite për të arritur këtë. Mund të ju kujtohet kur para disa viteve ne u bëmë anëtar të NATO-s, ne aplikuam dhe pastaj kuptuam se ka çështje të caktuara bilaterale që ne duhet t’i diskutojmë me një numër të vendeve anëtare. Dhe ne bëmë kështu për një kohë para se të hynim në NATO”.
“Pra është e rëndësishme që të bëhen diskutime e negociata bilaterale. Nuk mund të përcaktoj çështje specifike, kjo ju takon anëtareve tjera të BE-së që të përmendin këtë. Suedia është fort shumë në favor të zgjerimit që Ukraina dhe vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë anëtare të Unionit Evropian”, u shpreh ambasadori suedez.
Sipas tij, shumë vende janë bërë më parë anëtare të NATO-s, e më pas të BE-së, ndonëse, sipas tij, Suedia e Austria janë përjashtim i këtij rregulli.
“Por, marrë parasysh situatën e tanishme në Evropë – agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës – unë do të thosha që hapi i parë do të ishte anëtarësimi i Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe para se të bëheni anëtare e NATO-s. Kjo do të ishte e besueshme, hyrja në PFP. Do të inkurajoja Kosovën që të angazhohet në këtë punë”, tha ambasadori i Suedisë në vendin tonë, Jonas Westerlund.









