“Kontributi i tij në futboll do të kujtohet me respekt”, Ademi i pikëlluar për vdekjen e “Dushit”

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të legjendës së KF Vëllaznimit, Fahredin “Dush” Mati.

Përmes telegramit të ngushëllimit, Ademi theksoi se Mati ishte një nga figurat më të respektuara të KF Vëllaznimit, duke mbrojtur me krenari fanellën kuqezi si qendërsulmues nga viti 1955 deri në vitin 1968.

“Me kontributin, përkushtimin dhe paraqitjet e tij në fushën e lojës, ai u shndërrua në një prej emrave më të dalluar të futbollit gjakovar. Edhe pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai mbeti një tifoz dhe mbështetës i palëkundur i klubit të zemrës, duke e ndjekur me të njëjtin pasion deri në ditët e fundit të jetës”.

“Në emrin tim personal, të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të gjithë komunitetit të futbollit në vendin tonë, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Mati, të afërmve, miqve, KF Vëllaznimit dhe gjithë komunitetit sportiv”, tha Ademi, transmeton Klankosova.tv.

Pos tjerash, ai shtoi se kontributi dhe trashëgimia që “Dushi”  la pas në futbollin e Kosovës do të kujtohen gjithmonë me respekt dhe mirënjohje.

“I lehtë i qoftë dheu dhe i përjetshëm qoftë kujtimi për Fahredin “Dush” Matin”.