Komuna e Ferizajt ka reaguar ashpër ndaj mosparashikimit të financimit për Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj në Qarkoren Buxhetore për vitin 2027, duke e cilësuar këtë vendim skandaloz dhe me pasoja të rënda për arsimin e lartë dhe zhvillimin ekonomik të qytetit.
“Ferizaj nuk lejon mbylljen e Universitetit. Lajmi i ditëve të fundit që po konfirmohet edhe nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, se përmes Qarkores Buxhetore për vitin 2027 (kufijtë buxhetor për vitet 2027,2028 dhe 2029) nuk është përfshirë në planifikim buxhetor nga Ministria e Arsimit, përkatësisht Ministria e Financave – financimi i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, është skandaloz, në shkelje të plotë ligjore e mbi të gjitha një sulm institucional mbi një institucion universitar siç është USHAF, institucion ky që u themelua me sakrifica të shumta, me punë vetmohuese të jashtëzakonshme të profesoratit e stafit tjetër, me dije e përpjekje që lartësuan këtë Universitet në shembull jo vetëm për vendin por edhe më gjerë në kufijtë ndërkombëtar”, thuhet në reagim.
Ndërsa ka kërkuar urgjentisht nga Ministritë përkatëse të rishqyrtojnë vendimmarrjen e tyre, ashtu që Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj të ketë buxhetin e saj, të mund të funksionoj pa pengesa financiare apo administrative, në shërbim të dijes, në shërbim të mijëra studentëve.
“Ky është një skandal i llojit më të rëndë publik, një vendimmarrje që i mbyll dyert studentëve, një vendim që e lë kryeqendrën e ekonomisë së vendit, motorin e zhvillimit ekonomik të Kosovës- Ferizajn, pa Universitet, pa mundësi për studentët, pa kualifikime akademike për nevojat e tregut të punës. Ferizaj nuk lejon mbylljen e Universitetit, Ferizaj nuk hesht për mbylljen e themelatës ku ndër vite u kualifikuan breza të tërë studentësh, ku dija rangohet e kualifikohet në nivel akademik”, thuhet në reagim.








