Menu Close

Komisioni për Legjislacion shqyrton sot vendimin e presidentes për kthimin e Ligjit për Specialen në Kuvend

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit do të mblidhet sot, në orën 09:30, për të shqyrtuar vendimin e presidentes për kthimin në rishqyrtim të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Sipas rendit të ditës, në këtë mbledhje do të shqyrtohet vendimi i presidentes për kthimin në rishqyrtim të Ligjit nr. 11/L-001, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar u miratua në Kuvendin e Kosovës, por më pas u kthye për rishqyrtim nga presidentja Justina Shiroka-Pula, pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila ishte edhe nismëtare e ndryshimeve.

Sipas Presidencës, kërkesa e PDK-së kishte të bënte veçanërisht me dispozitat që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Hagë.

PDK-ja, në njoftimin e saj, ka sqaruar se kërkesa për kthimin e ligjit në Kuvend nuk nënkupton nisjen e procedurave nga fillimi, por rishqyrtimin dhe plotësimin e dispozitave të caktuara, me qëllim të forcimit të sigurisë juridike dhe shmangies së pengesave të mundshme në zbatimin e tij.

Sipas PDK-së, ky proces synon që ligji të finalizohet dhe të hyjë në fuqi, ndërsa partia ka shprehur pritjen që ai të miratohet sërish brenda katër javësh.

Related Posts