Klopp dhe Matthäus përplasen verbalisht për rolin e Musiala në kombëtaren gjermane

Lothar Matthäus ka kritikuar ashpër Jürgen Klopp dhe Thomas Müller pasi ata sugjeruan që Deniz Undav të luajë si mesfushor ofensiv në ndeshjen e parë të Gjermanisë në Botëror kundër Curaçaos, ndërsa Jamal Musiala të mbetet në stol.

Si analistë të “MagentaTV”, Klopp dhe Müller përfshinë Undav në formacionin e tyre ideal. Müller argumentoi: “Nëse të gjithë janë në formë, e shoh Undav si një opsion të shkëlqyer. Ka instinkt”. Klopp e mbështeti këtë ide, duke theksuar se “Undav mund të luajë si numër 10”. Të dy sugjeruan që Musiala të aktivizohej rreth minutës së 65-të, kur hapësirat në fushë do të ishin më të mëdha.

Megjithatë, Matthäus reagoi ashpër për “Bild”: “U habita shumë kur pashë Klopp dhe Müller të këshillonin aktivizimin e Undav në vend të Musiala. Respektoj mendimin e tyre, por mendoj se iu mungon ndjeshmëria. Pikërisht Klopp duhet ta dinte më mirë. Për të pasur sukses në Botëror, Gjermania ka nevojë për cilësinë e Musiala”.

Kampioni i botës i vitit 1990 shtoi se komente të tilla e vështirësojnë punën e trajnerit Julian Nagelsmann. Ai theksoi se Musiala ende nuk është në formën e tij më të mirë, por në vend që të krijohen polemika, duhet të mbështetet, sidomos pasi tregoi përmirësim në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj SHBA-së.

The post Klopp dhe Matthäus përplasen verbalisht për rolin e Musiala në kombëtaren gjermane appeared first on Telesport.