Misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë ka nisur procesin e kalimit gradual nga prania e përhershme në Urën kryesore në Mitrovicë. Sipas KFOR-it, ky proces vjen në kuadër të optimizimit të pozicionimit të misionit, pas përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.
Në një përgjigje për , KFOR-i ka bërë të ditur se ndryshimi i pranisë do të zhvillohet gradualisht dhe në bazë të kushteve në terren, ndërsa procesi po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë.
“Procesi do të jetë gradual, i bazuar në kushte dhe po koordinohet ngushtë me të gjithë akterët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe organizatave ndërkombëtare, si dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në përgjigjen për .
Sipas misionit të NATO-s, edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, është informuar rregullisht për këtë proces.
KFOR-i ka theksuar se komandanti i misionit, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë me përfaqësuesit kryesorë të institucioneve të Kosovës, organizatave ndërkombëtare dhe Forcave të Armatosura të Serbisë.
Megjithatë, pavarësisht ndryshimit të pranisë së përhershme në Urën kryesore të Mitrovicës, KFOR-i ka bërë të qartë se do të vazhdojë të ketë prani të dukshme si në jug, ashtu edhe në veri të Mitrovicës dhe në pjesën veriore të Kosovës.
“Personeli ynë është i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant, në përputhje me mandatin e kahershëm të KFOR-it të bazuar në OKB”, thuhet mes tjerash në deklarim.
KFOR-i ka theksuar se do të vazhdojë të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes.
Misioni i NATO-s rikujtoi se mandati i tij bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 dhe se detyrat vazhdojnë të kryhen në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me rolet e tyre përkatëse si reagues në fushën e sigurisë./







