KFOR-i nis integrimin gradual të Policisë në sigurinë e Manastirit të Deçanit

KFOR-i ka nisur të hënën integrimin gradual të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së Manastirit të Deçanit, në një hap që misioni i udhëhequr nga NATO-ja e lidh me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

Sipas një deklarimi të KFOR-it, procesi ka nisur më 10 gusht dhe do të zhvillohet në mënyrë graduale dhe të bazuar në kushtet e sigurisë.

“Ky është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it”, thuhet në deklarimin e misionit.

KFOR-i ka bërë të ditur se procesi po koordinohet me një sërë aktorësh, përfshirë përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, institucionet e Kosovës, Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Megjithatë, KFOR-i thekson se integrimi i Policisë së Kosovës nuk nënkupton tërheqjen e tij nga përgjegjësia për sigurinë e Manastirit të Deçanit.

“Përkushtimi i KFOR-it ndaj sigurisë së Manastirit të Deçanit dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve lokale mbetet i palëkundur”, thuhet në deklaratë \.

Misioni i NATO-s thekson gjithashtu se “KFOR-i mbetet reaguesi i parë për sigurinë e Manastirit të Deçanit”, ndërsa pjesëtarët e tij, sipas deklarimit, janë të pozicionuar për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të rëndësishëm.

Në kuadër të këtij procesi, KFOR-i ka thënë se do të vazhdojë bashkëpunimin me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë.

Qëllimi, sipas KFOR-it, është ruajtja e “transparencës së ndërsjellë, bashkëpunimit dhe besimit”, si dhe shmangia e keqkuptimeve.

Misioni i udhëhequr nga NATO-ja u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe bashkëpunim.

KFOR-i ka rikujtuar se vepron në bazë të mandatit të përcaktuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. Sipas tij, misioni vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, sipas roleve të tyre përkatëse në reagimin ndaj çështjeve të sigurisë.