KFOR, EULEX, Policia e Kosovës dhe FSK zhvillojnë ushtrimin e përbashkët “Shpata e Artë 2026” në Kampin Vrelo

Personeli i misionit të udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë (KFOR), Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Policisë së Kosovës (PK) dhe Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) kanë zhvilluar më 2 dhe 3 korrik aktivitete të përbashkëta stërvitore në kuadër të ushtrimit “Shpata e Artë 2026”.

Sipas njoftimit, ushtrimi është mbajtur në zonën stërvitore të Kampit Vrelo në Prishtinë dhe ka pasur për qëllim testimin e kapaciteteve dhe procedurave për menaxhimin e krizave në skenarë të ndryshëm kompleksë të sigurisë.

“Ushtrimi u mbajt në zonën stërvitore të Kampit Vrelo, në Prishtinë. Ai testoi zbatimin e kapaciteteve, aftësive dhe procedurave për menaxhimin e krizave në një sërë skenarësh kompleksë të sigurisë, përfshirë ata që lidhen me trajtimin dhe asgjësimin e sigurt të mjeteve shpërthyese dhe materialeve të rrezikshme”, thuhet në njoftim.

Në aktivitet ka marrë pjesë edhe personeli i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në kuadër të mandatit të saj për mbrojtje civile.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet më tej.