Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i bën thirrje Presidentes në detyrë znj. Albulena Haxhiu, që, pas përfundimit të konsultimeve me subjektet politike parlamentare, të caktojë sa më parë datën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit.
Pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit, ka filluar afati kushtetues për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit. KDI vlerëson se afati tridhjetëditor përbën afatin maksimal kushtetues për përfundimin e këtij procesi dhe nuk duhet të shndërrohet në periudhë pritjeje, pasigurie dhe mungesë të funksionimit të Kuvendit.
Edhe pse afati kushtetues ende nuk ka përfunduar Presidentja në detyrë, ka përgjegjësi institucionale që të shmangë çdo vonesë të panevojshme dhe të sigurojë që procesi i konstituimit të Kuvendit të fillojë në kohë dhe në përputhje me interesin publik. Veçanërisht pas një periudhe të zgjatur të funksionimit me institucione në detyrë, Kosova ka nevojë për institucione me mandat të plotë, të afta për të ushtruar përgjegjësitë tyre kushtetuese dhe për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve. Përvoja e proceseve të mëparshme të konstituimit të institucioneve ka treguar se vonesat e panevojshme dhe mungesa e ushtrimit me kohë të përgjegjësive institucionale mund të krijojnë bllokada dhe të dëmtojnë funksionimin normal të shtetit.
Respektimi i frymës së Kushtetutës dhe parimit të funksionimit efektiv të institucioneve kërkon që përgjegjësitë kushtetuese të ushtrohen pa vonesa të panevojshme. Institucionet nuk duhet të presin afatin e fundit për të përmbushur detyrimet e tyre, por duhet të veprojnë në kohë dhe me përgjegjësi për të shmangur çdo vakum institucional.
Prandaj, KDI kërkon nga ushtruesja e detyrës së Presidentes që:
pas përfundimit të konsultimeve me subjektet politike parlamentare, të caktojë sa më parë datën e seancës konstituive, në një afat që mundëson përfundimin e procesit në kohë dhe shmang afrimin e panevojshëm me kufirin kushtetues të 7 gushtit;
t’u bëjë thirrje publike subjekteve politike parlamentare që të marrin pjesë në mënyrë të plotë dhe konstruktive, në mënyrë që seanca të përfundojë me konstituimin e Kuvendit, dhe jo të mbetet vetëm një veprim formal procedural pa funksionalizimin e plotë të organit më të lartë përfaqësues të qytetarëve.
ta informojë publikun, brenda 48 orëve, se deri kur do të përfundojnë konsultimet dhe kur pritet të bëhet publike data e seancës konstituive.
Konstituimi i Kuvendit është një hap i domosdoshëm për rikthimin e funksionimit të plotë të rendit kushtetues dhe për mundësimin e formimit të institucioneve të reja. Një Kuvend i konstituuar është parakusht për avancimin e procesit të formimit të Qeverisë së re, zgjedhjen e Presidentit/es të ri/e, si dhe për ushtrimin e funksionit legjislativ dhe mbikëqyrës të Kuvendit.
Prandaj, KDI i bën thirrje Presidentes në detyrë që, në ushtrimin e përgjegjësive të saj kushtetuese, të caktojë sa më parë datën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit. Veprimi në kohë nuk është vetëm çështje procedure, por është çështje e përgjegjësisë institucionale, llogaridhënies publike dhe respektimit të vullnetit të qytetarëve.








