Analisti e gazetari Vehbi Kajtazi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka plotësuar narrativën e Serbisë së shqiptarët e Kosovës nuk dijnë dhe nuk mund ta mbajnë shtetin.
Në emisionin VV Show, Kajtazi ka thënë se Serbia që nga vitit 1999, kur edhe e humbi luftën, ka nisur tregimin se si shqiptarët e Kosovës nuk dijnë ta ndërtojnë shtetin.
Ai ka marrë si shkas edhe një intervistë të kriminielit serb Vojislav Sheshel.
“Prej 99-të e këndej, Serbia e ka pasur një tregim që shqiptarët e Kosovës nuk dijnë të bëjnë dhe të mbajnë shtet. Më kujtohet që pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në një intervistë të kriminelit Sheshel kur ishte pyetur për shpalljen e pavarësisë ai kishte thënë se “ata nuk po dijnë me e mbajtë një qyng (KEK-u) e le mo po mbajnë shtet”, ka thënë Kajtazi.
Sipas tij, me ardhjen në pushtet të Kurtit, Kosova është duke rrëshqitur drejt shteteve të dështuara.
Ai ka thënë se Kurti nuk po dinë, nuk dëshiron ose e ka mision që të mos të ndërtojë institucione të qëndrueshme në Kosovë.
“Me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet ky vend nuk po mundet me ndërtu institucione, pra ne po shkojmë në zgjedhje të vazhdueshme për shkak se Albin Kurti nuk është i aftë, apo nuk do ose e ka mision nuk e di, për mos me ndërtu institucione legjitime të Republikës së Kosovës dhe shtete të cilat dështojnë me ndërtu institucione të qëndrueshme janë shtete të dështuara. Si arritëm ne në këtë pikë që këto vitet e fundit me u plotësu tregimi i Serbisë se shqiptarët nuk dijnë me ndërtu shtet. Kosovën po e rreshton në kuadër të shteteve të dështuara”, ka thënë Kajtazi në VV Show.









