Deputetja e PDK-së, Vesa Kabashi-Ramaj, në një konferencë e ka cilësuar situatën aktuale institucionale në vend, si “krizë shtetërore”.
Ajo tha se Kosova tash e një javë është pa institucione të konstituara, ndërsa sipas saj, Albin Kurti po vazhdon ta ushtrojë funksionin e kryeministrit në kundërshtim me Kushtetutën, pasi ka marrë mandatin e deputetit dhe është betuar si i tillë.
“Mjaft është, mjaft! Kosova nuk është në gjendje normale. Për një javë ditë, vendi ynë është pa institucione të konstituuara. Kurti vazhdon të ushtrojë funksionin e kryeministrit kundërligjshëm, ndonëse tash e ka marrë mandatin si deputet dhe e ka dhënë betimin si deputet. Kemi ministra që njëkohësisht janë betuar si deputetë dhe vazhdojnë të ushtrojnë funksionet ministrore kundërligjshëm, të marrin vendime dhe të disponojnë me paranë e qytetarëve të Kosovës. Kemi një situatë të paprecedentë edhe në Presidencë, me pasoja të drejtpërdrejta për zinxhirin kushtetues të komandimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Personi që mban pozitën e Komandantit të Forcave të Armatosura e mban atë pozitë po ashtu kundërligjshëm. Kjo nuk është normalitet. Kjo është krizë shtetërore. Dhe pikërisht në këtë moment, Kurti po përpiqet të prodhojë një fotografi normaliteti, dhe këtë e bëri me diplomimin e kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, tha Kabashi-Ramaj./








