Një skenë e rrallë emocionale është regjistruar në konferencën për shtyp të Argjentinës para ndeshjes kundër Jordanisë, ku në qendër të vëmendjes nuk ishte vetëm Scaloni, por një figurë e jashtëzakonshme e gazetarisë sportive botërore; Enrique Macaya Márquez, 91 vjeç.
Gazetari veteran mori mikrofonin për të bërë pyetjen e radhës për Lionel Messin, nëse kapiteni argjentinas do të aktivizohej në ndeshjen e në fjalë. Në momentin që ai foli, salla shpërtheu në duartrokitje, duke nderuar një karrierë unike që ka kaluar kufijtë e kohës.

Macaya Márquez është një ikonë absolute e medias sportive, pasi ka ndjekur plot 18 Kupa Bote, rekord i jashtëzakonshëm që e vendos atë si një nga dëshmitarët më të rëndësishëm të historisë së futbollit modern.
Lionel Scaloni iu përgjigj me respekt të veçantë dhe emocione të dukshme: “Sinqerisht, është kënaqësi t’i përgjigjem një prej pyetjeve të tua. Ti ke mbuluar 18 Kupa Bote, është e pabesueshme. Kur unë luaja ende në Argjentinë, ti ishe tashmë një gjigant i gazetarisë sportive, sot je edhe më shumë. Nëse dikush tjetër do ta kishte bërë këtë pyetje, ndoshta do ta shmangia. Gjithsesi, për shkak se je ti, do të përgjigjem”.

Trajneri argjentinas konfirmoi më pas se Messi do ta niste ndeshjen nga stoli, duke e kthyer përgjigjen në një detaj teknik, por momenti u kujtua mbi të gjitha për respektin ndaj gazetarit. Në fund të konferencës, Scaloni dhe Macaya Márquez bënë një foto së bashku, imazh që simbolizon më shumë se futbollin: dashurinë për lojën dhe respektin për ata që e kanë ndjekur atë për një jetë të tërë.
Një kujtesë e bukur se futbolli nuk është vetëm për lojtarët dhe trajnerët, por edhe për njerëzit që e kanë dokumentuar historinë e tij për dekada.
17 Botërorë radhazi, historia e pabesueshme e gazetarit që FIFA e nderoi si kampion të futbollit
The post Ka ndjekur plot 18 Kupa Bote…; momenti historik mes Scaloni dhe legjendës 91-vjeçare të gazetarisë sportive appeared first on Telesport.








