Julian Alvarez, nis java e së vërtetës. Argjentinasi rikthehet në stërvitje me Atlético Madridin

Kjo javë mund të jetë vendimtare për Julian Alvarez, raportojnë sot mediat në Spanjë. Sulmuesi argjentinas rikthehet sot në stërvitje me Atlético Madridin, por dëshira e tij për t’u larguar nga “Colchoneros” tashmë është e qartë. Barcelona po shtyn për transferimin e lojtarit dhe ka paraqitur një ofertë të parë, e cila është refuzuar nga klubi madrilen.

Diego Simeone është shprehur tashmë për situatën: “Situata është shumë e qartë, klubi ka marrë një vendim. Jemi shumë të kënaqur me Julian dhe, nga pikëpamja sportive, do ta ndihmojmë të vazhdojë rrugëtimin e tij të rritjes”.

Ka shumë gjasa që trajneri dhe lojtari të bisedojnë gjatë ditëve të ardhshme, pasi skuadra po rikthehet nga Koreja e Jugut. Po aq e mundshme është që sulmuesi t’i përsërisë Simeones dëshirën për t’u larguar.

I lindur në vitin 2000, Julian Alvarez iu bashkua Atlético Madridit në verën 2024, pasi u ble nga Manchester City për 75 milionë euro. Në dy sezonet me fanellën kuqezi, argjentinasi ka shënuar 49 gola në të gjitha kompeticionet.