Ky artikull lexohet për 1 min•
ose dëgjoje me zëFebrie Adriansyah, kryeprokurori për krime speciale në Indonezi, ka dhënë dorëheqjen nga detyra e tij. Ky vendim vjen pas bastisjeve të policisë në banesën e tij dhe lokacione të tjera, ku u sekuestruan 74 kilogramë ar dhe 20 milionë dollarë në valuta të ndryshme.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm njoftoi të shtunën se Adriansyah u largua nga pozita për të ruajtur integritetin, objektivitetin dhe neutralitetin e zbatimit të ligjit.
Policia bastisi të paktën 12 lokacione dhe intervistoi 15 dëshmitarë në Xhakartë, South Tangerang dhe Bogor gjatë datave 8 dhe 9 korrik. Zëdhënësi Budi Hermanto konfirmoi se sendet e sekuestruara përfshijnë ar, rupia indoneziane, dollarë amerikanë, dollarë të Singaporit dhe rialë sauditë. Sipas mediave lokale, një pjesë e konsiderueshme e këtyre aseteve u gjet në një banesë në Bogor, e cila është pronë e Adriansyah.
Gjithashtu, autoritetet po shqyrtojnë dyshimet për bashkëpunim midis zyrtarëve shtetërorë dhe kompanive minerare që furnizonin termocentralet me qymyr të cilësisë së dobët, çka dyshohet se ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa pjesë të vendit.
Para dorëheqjes së tij, 58-vjeçari Adriansyah mohoi përfshirjen në veprime të paligjshme. Ai deklaroi për gazetarët se nuk e kupton arsyen e hetimeve që lidhen me ndërprerjet e energjisë elektrike.
Adriansyah u emërua prokuror për krime speciale në vitin 2022. Gjatë karrierës së tij, ai ka trajtuar raste të profilit të lartë, duke përfshirë hetime ndaj Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, ish-ministrit të tregtisë Thomas Lembong, si dhe rastin e importit të paligjshëm të karburantit në kompaninë shtetërore të energjisë, Pertamina. Ai gjithashtu mbikëqyri rastin kundër Nadiem Makarim, themeluesit të platformës Gojek.
Burimi: aljazeera.com






