Ky ishte mesazhi i Javier Zanettit, zëvendëspresidentit të Interit, në nderim të Franco Baresit, i cili u nda nga jeta: “Një kundërshtar i madh, protagonist i ndeshjeve që ndërtuan vetë kuptimin e derbit. I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes ‘Baresi’, vëllait të tij Beppe dhe Milanit në këtë moment dhimbjeje.
Largohet Franco Baresi dhe, bashkë me të, një nga figurat që përcaktoi më shumë historinë e derbit të Milanos për vazhdimësinë dhe nivelin e tij. Kapiten i Milanit, njeri skuadre dhe simbol i klubit, ai ndërtoi karrierën mbi inteligjencën në mbrojtje dhe një lidership të respektuar edhe nga kundërshtarët.
I lindur në Travagliato më 8 maj 1960, Baresi zhvilloi 719 ndeshje dhe shënoi 33 gola me fanellën kuqezi, duke luajtur vetëm për Milanin nga viti 1977 deri më 1997. Në 35 derbet e luajtura kundër Interit, emri i tij u bë sinonim i qetësisë, besueshmërisë dhe korrektësisë brenda një rivaliteti gjithmonë të fortë, por të ndershëm.
Brenda këtij rivaliteti, lidhja më e fortë mbeti ajo me vëllain e tij, Giuseppe Baresi. Dy vëllezër, dy kapitenë, të rritur së bashku, por të ndarë nga ngjyrat e kundërta të Milanos, të bashkuar gjithmonë nga një respekt i palëkundur. Për ta, derbi nuk ishte thjesht një ndeshje, por përballje e drejtpërdrejtë, përgjegjësi dhe ekuilibër që duhej ruajtur.
Përpiqeshim ta linim rivalitetin jashtë derës. Shqetësimi ynë ishte që asnjëri prej nesh të mos dëmtohej, kujtonte Franco. Madje, para derbit bënin edhe shaka për të lehtësuar tensionin e 90 minutave që për Milanon vlenin shumë më tepër se një ndeshje futbolli.
Më 2 mars 1980, ditën kur stadiumi ‘San Siro’ mori emrin e Giuseppe Meazza, historia e tyre u përmblodh në një imazh simbolik: vëllezërit Baresi përballë njëri-tjetrit në fushë, në stadiumin që mishëronte më mirë se çdo gjë tjetër qytetin dhe rivalitetin e tij. Një fotografi që tregon historinë e derbit më mirë se shumë fjalë.
Imazhi i fundit i tyre në ‘San Siro’ ishte me Flakën Olimpike, të mbajtur së bashku me Beppe Bergomin. Një derbi i pafund dhe një lidhje e pazgjidhshme me qytetin. Nga Interi dhe e gjithë bota zikaltër, kujtimi për një kundërshtar të madh, protagonist i sfidave që ndërtuan vetë kuptimin e derbit. Me respekt”.
The post Javier Zanetti përulet para Baresit: Simbol, kapiten, legjendë, je i përjetshëm appeared first on Telesport.








