Izet Mexhiti: Gala “Inva & Friends” e ktheu Kurshumli Hanin në një skenë të artit dhe kulturës

Izet Mexhiti, ka vlerësuar mbrëmjen gala “Inva & Friends”, duke thënë se Kurshumli Hani u shndërrua në një skenë ku arti, muzika dhe publiku u bënë një, ndërsa Shkupit iu shtua një dimension i ri kulturor.

Sipas Mexhitit, koncerti u udhëhoq nga sopranoja me famë botërore Inva Mula, e shoqëruar nga artistët Dëshira Ahmeti-Krliu, Norma Sereni, Ionela Mani, Mustafa Imeri, Gjergji Mani dhe Gjorgji Petrushevski, si dhe nga Orkestra Simfonike e Shkupit – AYG, nën dirigjimin e Ivan Eminović. Në koncert mori pjesë edhe Kori i Fëmijëve “Okarina” nga Kosova, i drejtuar nga dirigjentja Elikona Hysaj-Shala.

Ai theksoi se që nga fillimi ka besuar se identiteti i një qyteti forcohet edhe përmes kulturës që krijon dhe mbështet, duke shtuar se pikërisht me këtë vizion është themeluar Festivali Ndërkombëtar i Muzikës “Çarshia”.

“Çdo investim në art është investim në vetëdijen, identitetin dhe dinjitetin e shoqërisë sonë”, ka shkruar Mexhiti.