Ismaili dhe Osmani vizitojnë fëmijët me kancer në QKUK

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, së bashku me udhëheqësen e fushatës “Ti je një luledielli”, Albana Osmanin kanë qëndruar sot në pediatri në QKUK, në repartin Hemato-Onkologjisë, ku kanë vizituar fëmijët e sëmur dhe është premtuar se do të funksionalizohen të gjitha aparaturat dhe do të blihet të reja.

Ministri Ismaili ka thënë se fushata “Ti je një luledielli”, ka pasur shumë sukses dhe ka thënë se ato që nuk mund t’i mbulojë ky fondacion, do t’i përfundojë Ministria e Shëndetësisë, sidomos investimin në aparatura dhe shërbimet që janë kërkuar jashtë vendit, të kryhen në Kosovë.

“Ne sot jemi mbledhur për ta përkrahur fushatën e Albanës, që fillimisht e ka nisur në Shqipëri, që pati shumë sukses, vendosi por ashtu ta shtrinte edhe në Kosovë, apelojmë që kush e din që mund të ndihmojë ta përkrah fushatën sepse çkado që mbledhim vijnë për këta fëmijë. Ne kemi diskutuar sot për disa aparatura që janë që një kohë të gjatë këtu dhe nuk kanë mundur të vihen në përdorim, unë jam zotuar se do të gjej reagenca që kanë nevojë, dhe shërbime që janë kërkuar jashtë vendit do t’i kryejmë në Kosovë. Pajisjet që kanë nevojë që nuk i kanë, ato që nuk mund t’i mbulojë fondacioni, do t’i mbulojë ministria në mënyrë që të gjithë fëmijët t’i kenë kushtet më të mira”, ka thënë Ismaili për Ekonomiaonline.

“Ne do të sigurojmë Aparatura të reja dhe funksionale për repartin e Hemato-Onkologjisë, ku më të vegjlit tanë sfidohen çdo ditë nga kanceri dhe leukemia. Ne do të plotësojmë nevojat me të gjitha materialet për këtë repart që fëmijët të marrin trajtimin e duhur. Falënderoj edhe Albana Osmanin për iniciativën e saj humanitare “Ti je një luledielli”, në ndihmë këtyre fëmijëve”, ka thënë Ismaili.

Ndërsa ,Arbana Osmani ka thënë se gëzohet shumë që sot ka një deklaratë të rëndësishme për ata që e kanë ndjekur fushatën “Ti je një luledielli”.