Ish-këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj, ka thënë se sikur të kishte integritet presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, ajo do ta mbronte Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si institucion dhe jo tutorin e saj si politikan.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Behramaj ka thënë se sikur të dinte Osmani se çfarë është integriteti, s’do përfshihej në punët e brendshme të KQZ-së, sepse është konflikt i hapur interesi meqenëse është pjesë e listës së VV-së.
Ai tutje ka thënë se Osmani ska as integritet e as guxim që ta refuzojë tutorin e saj, duke aluduar në liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Ky reagim i tij erdhi pas video adresimit të Osmanit e cila e quajti të paprecedentë, të patolerueshme dhe të pahijshme atë se çka ndodhi në mbledhjen e KQZ-së të premten.
Osmani po ashtu tha se nëse ndodh që edhe njëherë qytetarët dhe partitë të ballafaqohen sërish me atë që ndodhi në mbledhjen e së premtes të KQZ-së, ku disa parti nuk u certifikuan, do të detyrohet të marrë të gjitha masat sipas përgjegjësive që ka.
Sikur të kishte integritet Vjosa Osmani, ajo do ta mbronte Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si institucion dhe jo tutorin e saj si politikan. Sikur ta dinte se çfarë është integriteti, ajo nuk do të përfshihej fare si U.D. Presidente në punët e brendshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sepse është konflikt i hapur i interesit, meqë është pjesë e listës së pacertifikuar të Lëvizjes Vetëvendosje. Sidoqoftë, meqë ajo nuk ka as integritet dhe as guxim ta refuzojë tutorin e saj, si U.D. Presidente në atë adresim do të duhej t’i inkurajonte subjektet politike që t’i ndjekin rrugët institucionale dhe jo ta kërcënonte me shkarkim bartësen e një institucioni të pavarur.
Përderisa nuk ka integritet, ajo jo vetëm që nuk mund t’ua ruajë integritetin institucioneve të pavarura, por ia ka humbur integritetin edhe Zyrës së Presidentit!