“Ik more budalla”, eskalon situata mes analistëve, Balaj lëshon studion

Një përplasje mes analistëve Azdren Shala dhe Labinot Balaj ka ndodhur pak më parë në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova.

Debati nisi teksa në studio po diskutohej për listat zgjedhore të partive politike për zgjedhjet e 7 qershorit. Gjatë diskutimit, Balaj ia rikujtoi Shalës një deklaratë të bërë më herët lidhur me kryeministrin Albin Kurti dhe ish-presidenten Vjosa Osmani.

“Ky më tha: ‘Ti je me pushtetin’, edhe a do ta votosh Albin Kurtin që nuk e bëri Vjosa Osmanin presidente? Ka dhënë premtim, ka pasur zotim publik”, u shpreh Balaj.

Nga ana tjetër, Shala reagoi duke thënë se deklarata kishte qenë “hajgare”, ndërsa debati më pas eskaloi në tone më të ashpra.

“Mos vërgllat”, iu drejtua Shala, Balajt, gjë që shkaktoi reagimin e menjëhershëm të këtij të fundit. “Mos vërgllat?”, u përgjigj Balaj me habi, para se të ngrihej në këmbë për ta hequr mikrofonin dhe për ta lëshuar studion, transmeton Klankosova.tv.

“Unë po çohem…”, deklaroi Balaj para largimit nga emisioni.

Pas kësaj, prezantuesit bënë thirrje për kujdes të gjuhës që përdoret në emisione.