I pakënaqur me notat e fëmijës, prindi dyshohet se kërcënoi mësimdhënësen në Rahovec

Një incident është raportuar në një shkollë në fshatin Ratkoc të Rahovecit, ku një prind dyshohet se ka kërcënuar një mësimdhënëse.

Fillimisht u raportua se e kërcënuara ishte drejtoresha e shkollës. Megjithatë, ajo ka deklaruar për Klankosova.tv se ky informacion nuk është i saktë, duke sqaruar se personi i kanosur nuk ishte ajo, por një mësimdhënëse e shkollës.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka konfirmuar për Klankosova.tv se ankesa është pranuar më 1 korrik 2026.

I dyshuari është intervistuar, ndërkaq me vendim të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti “Kanosje” si dhe i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.

“Me datë 01 korrik 2026, një ankuese femër ka raportuar rastin se një person (mashkull i moshës madhore) e ka kanosur përmes telefonit, me ç’rast i dyshuari pas raportimit është shoqëruar në Stacionin Policor në Rahovec ku edhe është intervistuar. Në koordinim me prokurorin e shtetit ndaj tij është iniciuar rasti “Kanosje” si dhe i njëjti është liruar në procedurë të rregullt”, tha zëdhënësja e Poliicsë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.

Sipas burimeve, dyshohet se rasti ka nisur pasi që prindi ka qenë i pakënaqur me notat e fëmijës së tij dhe më pas dyshohet se e ka kanosur mësimdhënësen.