Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, tha se plaga e gjenocidit ndaj më shumë se 8.000 djemve dhe burrave të pafajshëm në Srebrenicë vazhdon të jetojë në ndërgjegjen kolektive të rajonit dhe të botës.
Hoxha theksoi se Srebrenica nuk ishte vetëm një tragjedi lufte apo një akt i spastrimit etnik, por akt i planifikuar i vrasjes masive i drejtuar kundër boshnjakëve.
“Srebrenica nuk ishte vetëm një tragjedi lufte dhe as vetëm një krim i spastrimit etnik. Ishte gjenocid – një akt i planifikuar i vrasjes masive i drejtuar kundër boshnjakëve myslimanë, të cilët ishin shënjestër vetëm për shkak të asaj që ishin. Prandaj kujtesa është e rëndësishme. Prandaj e vërteta është e rëndësishme”, tha Hoxha.
Ai u shpreh se mohimi i gjenocidit nuk është interpretim, por “shtrembërim i së vërtetës dhe sulm ndaj drejtësisë dhe dinjitetit të viktimave”, duke shtuar se faktet janë vërtetuar nga gjykatat.
Në Potoçari sot zhvillohet ceremonia kolektive e varrimit, ku mbetjet mortore të dhjetë viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë do të gjejnë prehjen e përhershme.
Gjenocidi në Srebrenicë u krye në korrik të vitit 1995 nga forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska dhe bashkëpunëtorët e tyre, të cilët vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë.






