,

Hoxha: Draft-statuti i Asociacionit do t’i kushtojë shumë Kosovës, Kurti ka vetëm dy zgjidhje

Analisti, Ylli Hoxha, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka vetëm dy rrugë që ai mendon se janë si një zgjidhje para se të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Sipas Hoxhës, draft-statuti i Asociacionit do t’i kushtojë shumë Kosovës si Republikë.

Në emisionin “Debat Plus”, në RTV Dukagjini, ku po diskutohet për draftin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Hoxha ka thënë se ka pranim të kushtëzuar të një statuti.

“Kurti i ka dy rrugë: ose të shkojë në zgjedhje ta rikonfirmojë pushtetin me riartikulimin e qëndrimeve që i ka karshi procesit ose të ndërtojë konsensus politik. Po përqendrohemi në demaskimin e Kurtit prej Kurtit të kaluar, a në fakt po kalojmë në një proces i cili është më me urgjencë që të flitet”.

“Drafti i statutit të Asociacionit do të na kushtojë rëndë si Republikë. Do të kemi pasojë dhe përqendrimi duhet të jetë këtu. Partitë opozitare po atakojnë në Kurtin. Në një paraqitje të tij të cilën e ka bërë në kuvend ku thotë: Unë kam pranuar statutin si pjesë të një pakoje. Ka pranim të kushtëzuar të një statuti. Ka pranim të kushtëzuar edhe të marrëveshjes së Ohrit. Kjo është një dimension taktizimi”, tha ai.

Hoxha thekson se germa e statutit, nenet e caktuar në të, nuk janë problemi, por tërësia apo koncepti është problemi.

“Nëse po ecim në këtë debat është e drejtë e legjitime që të kritikohet qeveria dhe mendoj që duhet paraprakisht të kërkohet që të shkohet në zgjedhje. Nuk ka kuptim të shkohet me hapat dramatikë të ndryshimit pa u konsultuar qytetari”, deklaroi Hoxha.

Related Posts