Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se hetimet e Prokurorisë lidhur me rastin “Lule Gjeli” nuk duhet të përfundojnë vetëm me identifikimin e një profili anonim.
Sipas saj, është e pabesueshme që një profil i vetëm të ketë ushtruar për vite me radhë ndikim të madh pa mbështetje, koordinim apo persona të tjerë të përfshirë. Ajo ka kërkuar që hetimet të shtrihen më tej për të verifikuar nëse ka ekzistuar një rrjet i organizuar, kush e ka ndërtuar, financuar, koordinuar dhe kush ka përfituar prej tij.
Deliu ka bërë thirrje që të intervistohen të gjithë personat që mund të kenë njohuri për këtë mekanizëm, duke përfshirë edhe verifikimin e deklaratave publike të Florim Krasniqi, si dhe çdo prove tjetër që mund të ndihmojë në zbardhjen e rastit.
Ajo ka theksuar se, nëse provohet se ka ekzistuar një makineri propagandistike që ka shpifur, linçuar dhe manipuluar opinionin publik, përgjegjësia duhet të shtrihet te të gjithë personat që mund ta kenë urdhëruar, financuar ose koordinuar atë, duke përfunduar se është koha që Prokuroria të dëshmojë se në Kosovë hetohen rrjetet, e jo vetëm profilet anonime.
Postimi i plotë:
Nëse Prokuroria e mbyll këtë rast vetëm me emrin “Lule Gjeli”, atëherë ka dështuar ta gjejë të vërtetën.
Askush nuk beson se një profil anonim mund të ketë ushtruar për vite me radhë ndikim të madh, pa mbështetje, pa koordinim dhe pa njerëz pas tij. Pikërisht për këtë arsye, hetimi duhet të shkojë shumë më thellë.
Duhet të hetohet nëse ka ekzistuar një rrjet i organizuar, kush e ka ndërtuar, kush e ka financuar, kush e ka koordinuar dhe kush ka përfituar prej tij.
Duhet të merren në pyetje të gjithë ata që mund të kenë dijeni për këtë mekanizëm, pa përjashtime. Duhet të verifikohen edhe deklaratat publike të Florim Krasniqit dhe çdo provë tjetër që mund të ndihmojë në zbardhjen e së vërtetës.
Nëse ka pasur një makineri propagandistike që ka shpifur, ka linçuar dhe ka manipuluar opinionin publik, atëherë përgjegjësia nuk mund të ndalet te një profil anonim. Duhet të arrijë te çdo person që mund të ketë urdhëruar, financuar apo koordinuar një veprimtari të tillë, nëse kjo provohet.
Ky është momenti që Prokuroria të tregojë se në Kosovë hetohen rrjetet, jo vetëm profilet.








