Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka bërë thirrje për bashkëpunim ndërmjet partive politike, duke theksuar se vetëm përmes dialogut dhe koordinimit mund të tejkalohet kriza politike dhe të sigurohet stabiliteti institucional në vend.
Përmes një postimi publik, Haziri ka deklaruar se LDK-ja është një parti që, sipas tij, ka iniciuar procese të rëndësishme politike dhe ka mbajtur premtimet ndaj të gjitha partive kur ka qenë fjala për agjendën shtetërore.
“Ne jemi për bashkëpunim për procese politike, për normalizim e stabilizim të Republikës. Nuk nxirret vendi nga kriza nëse partia e parë nuk e zhvillon instinktin e bashkëpunimit”, ka shkruar Haziri.
Ai ka kritikuar partinë e parë për mungesë gatishmërie për bashkëpunim, duke vlerësuar se kjo qasje vetëm sa thellon krizën politike.
Në deklaratën e tij, Haziri ka përmendur edhe raportet me partitë opozitare, duke thënë se për mënyrën se si shkaktohen proceset politike duhet “pyetur PDK-në”, ndërsa për mënyrën e bashkëpunimit “pyetni AAK-në”.
Sipas tij, proceset strategjike për Kosovën, si integrimi në Bashkimin Evropian, anëtarësimi në NATO dhe projekti për gazin amerikan, kërkojnë unitet politik dhe bashkëpunim institucional.
“Unë jam për Republikën dhe bashkëpunimi është shpirti i saj”, ka përfunduar Haziri.








