Shefi i Shtabit zgjedhor të LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se LDK është e gatshme për një marrëveshje me Vetëvendosjen që posti i kryeministrit të ndahet me rotacion.
Haziri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë nominimi i Vjosa Osmanit nga LDK është bërë për t’i shërbyer afrimit me Vetëvendosjen, përcjell Telegrafi.
“Rotacioni mund të jetë një arsye për të kaluar dallimet që kemi aktualisht për postin e kryeministrit. E shoh që ka një gëzim politik te kampi i ish PAN-it, sepse nuk mundin t’i përballojnë marrëveshjes (LDK-Vetëvendosje) për shkak të interesave të caktuara”.
Kryetari i Gjilanit ka thënë se nuk ka çështje të tjera të hapura me Vetëvendosjen përpos kryeministrit.
“Na ka mbetur vetëm çështja se si të ndërtohet lista e përbashkët (me VV-në) dhe në çfarë forme të bëhet renditja. Ne mendojmë se Vjosa Osmani duhet t’i prijë listës, Vetëvendosje ka mendimin e saj. Ne këtë duhet ta kalojmë vetëm me “muhabet’”.
Haziri ka thënë se me Vetëvendosjen, LDK ka pasur përballjen më të madhe politike, por asgjë personale në përplasjet e tyre.