Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, është pyetur rreth çështjes së zgjedhjes së presidentit dhe mundësisë që një seancë e tillë të mbahet sot.
“Besoj se do të ketë seanca për presidentin…. natyrisht që sot”, është shprehur shkurt Haxhiu.
Se do të këtë seancën e ka konfirmuar edhe deputeti i Vetëvendosjes Adnan Rrustemi. Ai ka thënë se seancë do të ketë por nuk e ka përmendur orën kur do të mbahet.
Deputeti i AAK-së Besnik Tahiri, para nisjes së seancës plenare që është duke u mbajtur ka thënë se nuk kanë asnjë informatë nëse pas saj do të ketë një seancë për zgjedhjen e presidentit.
E deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka theksuar se ende nuk ka një emër konsensual për president dhe se situata mbetet e paqartë.
Ajo, ka thënë se qytetarët e Kosovës tashmë e kanë të qartë kush e ka seriozisht dhe kush nuk po dëshiron zgjedhje.
“Tashmë i kemi institucionet, çka mbetet është të gjejmë një figurë konsensuale të pranueshme për të gjithë neve, unifikuese. Unë jam e bindur që këto subjekte, që gjithë këto vite janë thirrur si figura që ‘ne jemi akademikë’, ‘jemi institucionalistë’, dhe të mos gjendet një emër jashtë strukturave aktuale politike që ta preferojnë dhe të vijnë me atë emër në Kuvend, është e pabesueshme. Dhe besoj që qytetarët e Republikës së Kosovës tashmë e kanë shumë të qartë kush e ka seriozisht, kush nuk do zgjedhje, edhe pse nuk i frikësohemi asnjë zgjedhjeje dhe gjithmonë jemi të gatshëm. Besoj që do të jetë një ditë e gjatë për të gjithë neve. Dhe shpresojmë … nuk kemi asnjë nënshkrim për asnjë kandidat. Sikur ta kishim, ne do ta publikonim. Nuk ka ende”, tha ajo.
Nesër përfundon afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërkohë që partitë politike nuk kanë gjetur konsensus rreth një emri që do të siguronte pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në procesin e votimit për president.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) u ka bërë ofertë dy subjekteve kryesore në opozitë, Partisë Demokratike (PDK) dhe Lidhjes Demokratike (LDK) që t’i ofrojnë tri propozime për president dhe ka dhënë zotimin për t’i ofruar nënshkrimet për t’i formalizuar kandidaturat e edhe për të votuar njërin nga kandidatët. Ofertën e ka publikuar të shtunën, tri ditë përpara se të skadojë afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
PDK-ja e ka refuzuar ofertën. E LDK-ja ka kushtëzuar ofrimin e kandidatit, duke përmendur si emër të përveçëm Vjosa Osmanin, e cila përmbylli këtë muaj mandatin pesëvjeçar të presidentes.









