Hashim Thaçi: Çdo kërcënimi të Serbisë do t’i përgjigjemi si një komb – me ushtri dhe polici

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se Kosova do t’i kundërpërgjigjet Serbisë në kërcënimet e saj.

“Jam komandant suprem i FSK-së. Kosova do t’i përgjigjet drejtpërdrejt çdo kërcënimi të Serbisë. Do t’i përgjigjet me ushtri dhe polici. Si një komb. Nëse ajo nuk ndalet me retorikën luftënxitëse”, ka thënë Thaçi, njofton Klan Kosova.

Thaçi ka pohuar se marrëveshja me Serbinë do të vendoset në referendum, çka është shprehur se beson që do të votohej nga 75-80 deputetë.

“Nuk besoj se ka deputet që voton kundër bashkëngjitjes së Luginës me Kosovën”.

Thaçi në Zonën e Debatit ka thënë se idetë për konferencë ndërkombëtare për Kosovën, Union Ballkanik dhe të ngjashme janë të rrezikshme dhe ka theksuar se nuk do të lejojë që të ndodhin.

“Ne jemi ballafaquar, e para, me një proces të kërkuar nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe nevoja e Kosovës dhe Serbisë për njohje dhe dialog. Nuk lejoj që të ndodhë konferencë ndërkombëtare për Kosovën –sepse nënkupton integrimin e Rusisë në tavolinë. Është mirë që kjo temë u ndal së diskutuari”.

“Në Prishtinë u hap edhe ideja për një Union Ballkanik. Ka qenë ide e rrezikshme. Për ne vlen Unioni Evropian. E ardhmja jonë janë NATO dhe BE – ky bashkim, por jo bashkim rajonal. Është e patolerueshme”.