Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Nasim Haradinaj, ka akuzuar nënkryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismailin, se ia ka bërë lojën deputetit tjetër të kësaj partie, Përparim Grudës lidhur me nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Haradinaj ka thënë se tërheqja e nismës për ndryshimin e këtij ligji është shoqëruar me rivalitet të brendshëm në PDK dhe se, sipas tij, çështja është përdorur për interesa partiake dhe për garën për udhëheqjen e partisë.
“Grudës ia bëri lojën Urani Ismaili. Këta janë konkurrentë brenda partisë. Tash më fort po përdoret ligji se kush të bëhet kryetar i PDK-së, sesa a do të fitohet Apeli”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka deklaruar se ka qenë kundër tërheqjes së nismës, pasi beson se me këtë çështje janë zhvilluar lojëra politike, duke e cilësuar gjithë procesin si farsë.
“Nëse u kthye ligji për të devijuar një konkurrent politik brenda vetë partisë së PDK-së, atëherë këtu mendoj se është lojë dhe farsë. Unë besoj edhe në këtë se është farsë, sepse në fund të fundit ligjet janë të mira deri kur del ligji më i mirë”, ka thënë Haradinaj në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai ka shprehur dyshime edhe për qëllimet e protestave që janë organizuar lidhur me procesin gjyqësor në Hagë dhe ndryshimet e propozuara në Ligjin për Specialen. Sipas tij, ato janë përdorur edhe për krijimin e protagonistëve politikë që mund të përfitojnë në garat e ardhshme zgjedhore.
Haradinaj ka thënë se fillimisht kishte besuar që ligji do të votohej, por ka pretenduar se brenda PDK-së kishte interesa që vendi të shkonte në zgjedhje dhe që disa figura të identifikoheshin përmes protestave.
“Unë kam besuar se ky ligj do të votohet e këta (PDK-ja) kanë menduar të shkohet në zgjedhje dhe të nxjerrin protagonistë të cilët do të identifikoheshin nga protesta. Ai dyshim që e kam dhënë disa herë, të mos luhet dhe të mos mundohen me përfitu në tragjedi të tjerëve. Kjo qetësia pe vërteton atë që po them, sepse i keqpërdoren protestat, i kthye në teravi, jo në kuptimin e sulmit të fesë. Ka qenë qitje e individëve të cilët dikur do vyejnë për me marrë vota nëse do të hyjnë në një garë dhe të përzgjidhet kush do të flasë e kush nuk do të flasë”, deklaroi Haradinaj.
Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së ka deklaruar se pret që Lëvizja Vetëvendosje ta miratojë edhe versionin e ndryshuar të ligjit, duke thënë se në këtë mënyrë do ta vendosë PDK-në përballë një akti të kryer, pas deklaratave se ka pasur presion ndërkombëtar për tërheqjen e ligjit.
“Unë të garantoj që Qeveria do ta votojë edhe këtë ligj me ndryshime dhe do t’i hedhë para aktit të kryer. E tash presioni ndërkombëtar pra s’qenka me këtë ligj. Nëse paska zbutje, atëherë le ta kenë për turp”, ka deklaruar ai.
