Haradinaj optimist për Demarkacionin pas takimit me kryeministrin malazez

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me homologun e tij malazez Dushko Markoviq  është shprehur optimist se ekziston një vullnet i përbashkët në mes të Kosovës dhe Malit të Zi që të gjendet një zgjidhje për Demarkacionin.

Në konferencën e përbashkët me kolegun e tij malazez Dushko Markoviq, Haradinaj tha se është biseduar për shënimin e kufirit dhe se ka shpresë që do të gjendet zgjidhje.

“E kemi biseduar edhe çështjen e Demarkacionit. Ekziston një vullnet i mirë që të gjendet një dalje nga gjendja në të cilën jemi tu i pas parasysh zhvillimet e mëhershme jam me shpresë se do të gjindet kjo zgjedhje”, tha shkurtimisht Haradinaj.

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq tha se ky proces sa i përket shtetit të tij është i përfunduar.

“Kemi hapur edhe këtë çështje, dy qeveritë duhet të bisedojnë edhe për këtë çështje të rëndësishme për dy vendeve. Ky proces sa i përket Malit të Zi ka përfunduar, ndërsa Kuvendi i Kosovës nuk e ka ratifikuar atë. Mali i Zi dëshiron që si një fqinj i mirë të ndihmojë që kjo çështje të zgjidhet. Kemi biseduar për këtë me qëllime të mira. Të diskutojmë e të gjejmë zgjidhje që të ratifikohet demarkacioni dhe Kosova ta plotësojë një nga kriteret për integrim evropian”, tha kryeministri malazez.