Haradinaj kujton daljen publike të UÇK-së dhe rolin e Drenocit në luftën çlirimtare

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka përkujtuar daljen e parë publike të UÇK-së, duke theksuar rëndësinë e zonës së Drenocit dhe luftëtarëve të saj në rrjedhën e luftës çlirimtare.

Ai ka bërë të ditur se në këtë përvjetor iu bashkua kryetarit Smajl Latifi, familjeve të dëshmorëve dhe bashkëluftëtarëve në Drenoc, të cilin e cilësoi si “shtyllë të luftës sonë çlirimtare”.

Sipas tij, pas daljes publike të UÇK-së në Drenicë dhe Dukagjin, Serbia synonte ta ndalte mobilizimin dhe zgjerimin e luftës, por rezistenca në Drenoc ndikoi në ndryshimin e rrjedhës së saj dhe nxiti përhapjen e luftës edhe në zona të tjera.

“Drenoci dhe luftëtarët e saj trima ndryshuan rrjedhën e luftës dhe nxitën edhe zonat tjera për ta shtuar zjarrin ndaj armikut. Kjo rezultoi që në pranverën e vitit 1998, UÇK të shtrihej në të gjithë vendin. Andaj, kur i kujtojmë dëshmorët dhe heronjtë, asnjëherë nuk harrojmë se ata ishin në një mision të vetëm, çlirimin e shqiptarëve nga robëria. Liria erdhi dhe për të kaluam shumë plagë, humbëm shumë njerëz të dashur”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ndër të tjera, ai thekson se NATO e prirë nga Amerika, u vu në anën e Kosovës.

“UÇK në tokë dhe NATO e prirë nga Amerika në qiell, sollën lirinë e shumëpritur për shekuj. Misionin tonë për sigurimin e lirisë nuk duhet ta ndalim derisa të bëhemi ofrues të sigurisë, si pjesë e NATO-s, të rreshtuar pranë botës demokratike, të udhëhequr nga Amerika”, përfundoi kreu i Aleancës./Klankosova.tv