Gjykata Supreme ka marrë një vendim të enjten, duke i hapur rrugë shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Supremja ka refuzuar ankesën e Partisë Demokratike të Ashkalinjëve – LPB, duke e cilësuar atë “të pathemeltë”.
Ata e kishin kontestuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili e kishte hedhur poshtë kërkesën e partisë për manipulime të mundshme me votat me postë.
Pasi nuk ka më ankesa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të shpallë rezultatet përfundimtare.
Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje pritet të ketë 48 deputetë, Partia Demokratike 24, Lidhja Demokratike 20 dhe koalicioni AAK – Nisma tetë.
Ende nuk dihet se kur do të shpallen rezultatet përfundimtare, ndërkohë që zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka deklaruar se ishin në pritje të vendimit të Supremes.
“Për të ardhur deri te shpallja e rezultateve përfundimtare të subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke ndjekur hapat e përcaktuar me ligj. Aktualisht, KQZ është duke pritur vendimin nga Gjykata Supreme lidhur me ankesën e një subjekti politik të certifikuar.
Para se të thërrasë mbledhjen për shpalljen e rezultateve, KQZ do të sigurohet për konfirmimet nga PZAP dhe Gjykata Supreme për të parë nëse ka ndonjë ankesë të pazgjidhur dhe nëse mund të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare”, tha Elezi.