Hamza: Padrejtësitë ndaj veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve duhet të marrin fund, do t’ua kthejmë dinjitetin

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza sot ka mbajtur një takim me veteranët, invalidët, familjet e dëshmorëve dhe kategorive të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka thënë se padrejtësitë ndaj veteranëve dhe familjeve të luftës duhet të marrin fund.

Hamza është zotuar se do t’ua kthejë dinjitetin kategorive të luftës.

“Sot, në mesin e veteranëve, invalidëve, familjeve të dëshmorëve dhe kategorive të dala nga lufta të UÇK-së, ndjeva edhe një herë peshën e përgjegjësisë që kemi ndaj atyre që sakrifikuan më së shumti për Kosovën”, ka shkruar Hamza.

“Mbrojtja e vlerave të luftës nuk është slogan politik. Është obligim moral dhe shtetëror. Prandaj, padrejtësitë ndaj veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve duhet të marrin fund”, ka theksuar ai.

“Zotohem se do të rikthejmë dinjitetin, respektin dhe mbështetjen që meritojnë të gjitha kategoritë e dala nga lufta, sepse pa sakrificën e tyre nuk do ta kishim lirinë dhe shtetin që kemi sot”.