Gjini: Autostrada e Gjilanit është lënë në mëshirë të fatit

Kandidati i Aleancës për kryeministër, Ardian Gjini, ka kritikuar mungesën e investimeve qendrore në Gjilan, duke thënë se projekte të rëndësishme infrastrukturore kanë mbetur të papërfunduara dhe po pengojnë zhvillimin ekonomik të qytetit.

Përmes një postimi pas vizitës në Gjilan dhe takimeve me qytetarë e biznese, Gjini tha se zhvillimi ekonomik dhe projektet e mëdha kërkojnë guxim dhe vendime strategjike.

Ai u ndal te autostrada e Gjilanit, për të cilën tha se ishte nisur si prioritet kryesor gjatë kohës kur Ramush Haradinaj ishte kryeministër, por sipas tij, tashmë ka mbetur “në mëshirë të fatit”.

Sipas Gjinit, mosrealizimi i këtij projekti po ua vështirëson jetën qytetarëve dhe po pengon potencialin ekonomik të Gjilanit, të cilin e cilësoi si qytet me potencial të madh ndërmarrës.