Bojkoti, protestat dhe frika për kurdisje votash kanë rrezikuar që të mbetet në hije edicioni i sivjetmë i garës evropiane të këngës, Eurovision që në fundjavë mbahet në Vjenë.
Në epiqendër të kësaj stuhie është Izraeli.
Eurovisionin e ndjekin miliona njerëz çdo vit, por është përfshirë në përplasjet e shoqërisë lidhur me operacionin ushtarak të Izraelit në Lindjen e Mesme.
Me grupe të ndryshe që kanë paralajmëruar protesta në Vjenë kundër pjesëmarrjes së Izraelit, autoritetet austriake kanë marrë masa më shumë se zakonisht.
Kriza e madhe ka shpërthyer në fund të vitit të kaluar kur pesë shtete shtete deklaruan se do të bojkotonin Eurovisionin e sivjetmë nëse Izraelit do t’i lejohej pjesëmarrja.
Holanda, Irlanda, Sllovenia, Spanja dhe Islanda kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në garë nëse Izraeli figuron në listën e pjesëmarrësve.
Këto shtete kanë thënë se vendimi i tyre është i bazuar në luftën e Izraelit në Gaza gjatë të cilës kanë mbetur të vrarë më shumë se 70 mijë civilë, sipas të dhënave nga organizatat ndërkombëtare, të cilat kanë paralajmëruar se numri mund të shkojë deri në 100 mijë sepse shumë njerëz të vdekur janë nën rrënoja.
Unioni Evropian i Transmetuesve me 113 media publike e që shtrihet në 56 shtete, vazhdimisht ka deklaruar se gara e këngës është jopolitike dhe se organizohet mes televizioneve shtetërore dhe jo qeverive.
EBU-ja ka shtuar se për aq kohë sa transmetuesi publik i Izraelit, KAN, luan sipas rregullave të Eurovisionit, nuk do t’i pamundësohet pjesëmarrja.
Izraeli të martën kaloi në gjysmëfinale dhe do të marrë pjesë në finalen që mbahet më 16 maj.









