Halimi: Profilet e rreme e kanë normalizuar urrejtjen e papërgjegjshmërinë

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi, ka reaguar lidhur me debatin e fundit për profilet e rreme në Facebook, të cilat linçojnë figurat publike politike në vend. Sipas saj kjo dukuri ka kontribuar në normalizimin e urrejtjes, papërgjegjshmërisë dhe shkatërrimit të mendimit kritik.

Halimi thotë se kjo gjendje e komunikimit publik rrezikon ta zhvendosë shoqërinë nga debati i ideve drejt një kulture të përplasjes, ku qëllimi nuk është më të vlerësohet apo të kundërshtohet një qëndrim, por të sulmohet personi që guxon të jetë pjesë e jetës publike.

“Denigrimi sistematik i figurave publike përmes profileve të rreme nuk është më vetëm një problem i komunikimit, por një simptomë e një kulture politike që po përpiqet ta zëvendësojë debatin me diskreditimin, argumentin me shpifjen dhe qytetarin aktiv me një turmë të manipuluar. Krijimi i narrativave të rreme, sulmet ndaj familjeve, inskenimet dhe prodhimi i opinioneve mbi baza të pavërteta nuk po i dëmtojnë vetëm individët, por po e cenojnë besimin shoqëror, kapitalin më të çmuar të një demokracie. Në një shoqëri ku e vërteta relativizohet dhe gënjeshtra organizohet, pjesëmarrja publike fillon të shoqërohet me frikë dhe tërheqje”, ka shkruar ajo.

Tutje, sipas saj, çdo akt fyerjeje, shpifjeje dhe denigrimi ndaj kujtdo duhet të dënohet qartë dhe pa përjashtim.

“Liria e shprehjes nuk mund të shndërrohet në licencë për të cenuar dinjitetin e tjetrit, për të përhapur urrejtje apo për të manipuluar opinionin publik përmes gënjeshtrave të qëllimshme. Një demokraci nuk matet vetëm me zgjedhje të lira, por edhe me cilësinë e komunikimit publik. Kur anonimiteti përdoret si armë për të shkatërruar besimin dhe dinjitetin, nuk kemi më garë idesh, por degradim të kulturës demokratike”, tha ndër të tjera ajo.