Programi ‘Fizioterapi dhe Rehabilitim’ i Fakultetit të Mjekësisë në UP ka rezultuar i akredituar në kundërshtim me Ligjin. Agjencia e Akreditimit, e cila e akreditoi këtë program me bartës të cilët nuk i plotësonin kriteret e fushës përkatëse, është obliguar nga Gjykata që të korrigjojë vendimin. Kjo është dosja e plotë e rastit.
Agjencia e Kosovës për Akreditim është obliguar nga Gjykata që të korrigjojë vendimin skandaloz të akreditimit të një programi në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka obliguar AKA-n që të nxjerrë vendim të ri për programin ‘Fizioterapi dhe Rehabilitim’, pasi ai i miratuar në qershor të vitit 2025 është shpallur i paligjshëm.
AKA dhe organi vendimmarrës i tij për akreditimin e programeve të institucioneve të arsimit të lartë, Këshilli Shtetëror i Cilësisë, akredituan vitin e kaluar programin ‘Fizioterapi dhe Rehabilitim’ të Fakultetit të Mjekësisë duke shkelur rëndë Ligjin për AKA-n dhe Manualet për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Padinë kundër vendimeve të dyshimta të AKA-s e parashtroi Oda e Fizioterapeutëve shtatorin e vitit të kaluar.
Më 4 maj, të hënën, Gjykata i ka dhënë të drejtë Odës. E ka shpalur të bazuar padinë kundër vendimeve të AKA-së dhe KShC-së dhe e ka detyruar Agjencinë që të nxjerrë vendim të ri, të korrigjuar, në afat brenda 15 ditësh.
“Aprovohet në tërësi si e bazuar padia dhe kërkesëpadia e paditëses Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës – OFTK me seli në Prishtinë”, thuhet në aktgjykimin e themelores.
Agjencia e Kosovës për Akreditim në qershor të vitit të kaluar kishte marrë vendim për akreditimin e programit të ri “Fizioterapi dhe Rehabilitim” në Fakultetin e Mjekësisë.
Akreditimi është realizuar në kundërshtim të plotë me Udhëzimin Administrativ të Institucioneve të Arsimit të lartë dhe me Manualin e Akreditimit të IAL-ve.
Nenin 28 i Ligjit për AKA-n mbi “kriteret, standardet dhe procedurat e akreditimit” thotë se të arriturat profesionale, “shkencore e artistike” të bartësit të programit duhet të jenë të përputhshme me profilin shkencor të programit studimor.
Këshilli Shtetëror i Cilësisë, organi vendimmarrës për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë, kishte pranuar për bartëse të programit “Fizioterapi dhe rehabilitim”, Arbnore Ibrahimaj-Gashin, e cila nuk posedonte thirrjen profesor asistente, duke shkelur rëndë Ligjin.
Paparaci posedon vendimin për emërim të sekretarit të Degës së Fizioterapisë, i cili dëshmon se Ibrahimaj-Gashi ka thirrjen ‘asistente’, jo atë të ‘profesor-asistentes’.

Krejt këto veprime të paligjshme janë kryer në dëm të personave, fizioterapeutëve me thirrjen profesorë, të cilët përfaqësojnë profesionin e licencuar dhe të rregulluar me ligj. Ata janë anashkaluar nga Fakulteti i Mjekësisë. Janë favorizuar të tjerët që nuk janë të kualifikuar për fushën e fizioterapisë.
Një tjetër shkelje e rëndë, e kryer nga Agjencia e Akreditimit, ishte pranimi i për bartës programi “Fizioterapi dhe rehabilitim” i Ardiana Murtezanit në vitin 2025, ndonëse e njëjta ishte refuzuar nga AKA-ja dy vite më parë për shkak se nuk kualifikohej për këtë program.
Edhe pse kriteret ligjore për akreditim nuk kanë ndryshuar nga viti 2023, Murtezani që para dy vitesh ishte konstatuar se nuk i plotësonte kriteret për bartëse programi – me arsyetimin se nuk i përkiste fushës së programit – në vitin 2025 ishte pranuar për të njëjtën fushë.

Sikurse Arbnore Ibrahimaj-Gashi, edhe Murtezani nuk posedonte thirrjen doktor shkence (PhD) në fushën e fizioterapisë.
Oda e Fizioterpeutëve të Kosovës e kishte kundërshtuar me të gjitha forcat vendimin tashmë të shpallur të jashtëligjshëm të Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe vlerësimin e AKA-s.
Kishte kërkuar që të respektoheshin rekomandimet e ekspertëve të cilët kishin obliguar AKK-në që bartësit e programit të jenë profesorë të fizioterapisë.
Sipas Odës, vendimi i AKA-së ishte i kundërligjshëm dhe në kundërshtim me raportin e ekspertëve të vetë agjencisë se akreditimit.









