Gjoba 5 mijë euroshe ndaj Komunës së Prishtinës, Dushi thotë se po funksionon perfekt “aparati i presionit”

Nënkryetari i Prishtinës, Florian Dushi ka reaguar pasi Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit ka shqiptuar gjobë në vlerë prej 5 mijë euro ndaj Drejtorisë së Urbanizimit dhe Mjedisit, shkaku i zhvillimit të aktiviteteve në deponinë e inerteve në Matiqan.

Ai thotë se në një vend që është në zgjedhje, aparati i presionit ndaj Prishtinës po funksionon perfekt.

“Inspektoratet e qeverisë kundër Prishtinës. Në një shtet që po shkon sërish në zgjedhje për shkak të papërgjegjësisë së qeverisë Kurti dhe organizatës së tij, ku institucionet janë pothuajse të gjitha me ushtrues detyre e gati kanë pushuar së funksionuari, një gjë funksionon perfekt: APARATI I PRESIONIT NDAJ PRISHTINËS. Inspektorati i trashëgimisë, ai i mjedisit e çdo mekanizëm që mund të përdoret si pengesë, aktivizohet menjëherë kur bëhet fjalë për Kryeqytetin dhe projektet transformuese të tij. E më e rënda, vartësit e kësaj mendësie dalin publikisht dhe krenohen me bllokadat, gjobat e vështirësitë që ia krijojnë Prishtinës, sikur ndalja e zhvillimit, sabotimi i investimeve dhe pengimi i qytetit të ishte arritje politike e personale e tyre”, shkruan ai.

Dushi më tej thotë se Prishtina ka rezistuar më shumë se kaq dhe do të vazhdojë të ecë përpara me projektet transformuese të Kryetarit Rama “pavarësisht atyre që suksesin e matin me numrin e projekteve që arrijnë t’i ndalin në Kryeqytet”.