Gjendet sërish armatim në veri, Sveçla thotë se janë gjetur edhe uniforma të ushtrisë amerikane dhe asaj britanike

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se në veri të vendit janë gjetur sërish armë, municion e uniforma, pas një bastisje që është kryer sot. Sipas tij, këto ishin fshehur nën një ahur.

Sveçla ka thënë se përveç unfirmave të ushtrive të Serbisë dhe Rusisë, janë gjetur edhe uniforma të ushtrive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe asaj Britanike.

“… ky fakt shpërfaq planet dhe skenarët ogurzi për të kryer krime e sulme dhe për të fajësuar shtete të tjera. Çdokush që tenton të cenojë rendin kushtetues, sigurinë e vendit, nuk do të mund t’i ikë ndëshkimit. Republika e Kosovës, forca e ligjit të drejtë në shtetin tonë demokratik do të ngadhënjejë”, ka shkruar Sveçla.

Ndryshe, armë, municion dhe uniforma janë gjetur edhe të shtunën pas bastisjeve që kreu Policia e Kosovës, lidhur me sulmin në kanalin e ujit në Ibër-Lepenc.