Një 36-vjeçar me inicialet M.S., i raportuar i zhdukur rreth dy javë më parë në Stacionin Policor në Leposaviq, është gjetur nga Policia e Kosovës sot në zonën e Deçanit.
Sipas familjarëve, i njëjti kishte pasur herë pas here probleme psikike.
Në momentin e kontaktit të fundit,siç thotë Policia ai kishte qenë në Serbi dhe kishte deklaruar se do të kthehej në Kosovë.
“Policia ka ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore, duke njoftuar të gjitha stacionet policore dhe pikat kufitare. Nga veprimet e shpejta policore është konstatuar se personi kishte hyrë në Kosovë me datë 28.04.2026. Po të njëjtën ditë, i njëjti kishte qëndruar në Manastirin e Deçanit dhe më pas ishte larguar në drejtim të panjohur”, thotë PK përmes një postimi në Facebook.
Në koordinim me stacionet tjera policore dhe veprimeve operative në terren, Policia bëri të ditur se sot rreth orës 10:00, nga Stacioni Policor në Deçan është pranuar informatë se personi M.S. është gjetur në zonën e Deçanit nga njësitë patrulluese policore.
Familjarët, siç thuhet tutje në postim, janë njoftuar për gjetjen e tij, ndërsa sipas informacioneve të para gjendja e tij shëndetësore është stabile.









