Gjashtë futbollistë të Argjentinës rrezikojnë të humbasin Kupën e Botës 2030, pasi FIFA ka nisur procedura disiplinore ndaj tyre.
Argjentina nuk arriti ta mbrojë titullin e kampionit të botës, pasi u mposht nga Spanja pas kohës shtesë në finalen e Kupës së Botës 2026. Golin e fitores për spanjollët e shënoi Ferran Torres, duke i dhënë “La Rojas” titullin e dytë botëror.
Mesfushori i Chelseat, Enzo Fernandez, u ndëshkua me karton të kuq pas dy ndërhyrjeve të panevojshme, por tensionet shpërthyen pas fishkëllimës së fundit, kur disa futbollistë argjentinas humbën kontrollin dhe tani janë nën hetim nga FIFA.
Nahuel Molina u filmua duke goditur kapitenin e Spanjës, Rodrin, ndërsa Leandro Paredes u përfshi në një përplasje të ashpër me Eric Garcian dhe Gavin.
Paredes u pa duke e kapur Garcian për fyti dhe duke e rrëzuar Gavin në tokë. Sistemi informativ i komentimit të FIFA-s raportoi gabimisht se ai ishte ndëshkuar me karton të kuq.
Një tjetër incident i rëndë përfshiu ndihmëstrajnerin e Argjentinës, Roberto Ayala, i cili goditi Dani Olmon gjatë përleshjes.
Disa ditë më vonë, Ayala kërkoi falje për veprimin e tij, por këmbënguli se “ishte më shumë një shtyrje sesa diçka tjetër” dhe se “nuk ishte grusht”.
Olmo nuk e pranoi faljen dhe e akuzoi Ayalan për “gënjeshtër” në një intervistë për mediat spanjolle.
Molina, Paredes, Ayala, Thiago Almada dhe lojtari i Spanjës, Gavi, janë përmendur në deklaratën zyrtare të FIFA-s, e cila konfirmon hapjen e procedurave disiplinore.
Në deklaratë thuhet: “Komisioni Disiplinor i FIFA-s ka pranuar raportin e Prokurorit Disiplinor dhe të Etikës për incidentet që ndodhën gjatë finales së Kupës së Botës 2026 (Spanjë – Argjentinë) dhe, pas rekomandimit të tij, ka hapur procedura disiplinore për shkelje të mundshme të nenit 14, paragrafi 1(i), të Kodit Disiplinor të FIFA-s (sulm fizik), ndaj lojtarëve argjentinas Nahuel Molina (dy raste, një i realizuar dhe një në tentativë), Leandro Paredes (tre raste) dhe zyrtarit argjentinas Roberto Ayala (një rast). Gjithashtu janë hapur procedura disiplinore për shkelje të mundshme të nenit 14, paragrafi 1(b), të Kodit Disiplinor të FIFA-s (sjellje josportive) ndaj Nahuel Molinës (një rast), Thiago Almadas (një rast) dhe lojtarit spanjoll Pablo Martín Páez Gavira – Gavi (një rast)”.
Përveç kësaj, FIFA ka hapur një procedurë të veçantë ndaj Federatës së Futbollit të Argjentinës për shfaqjen e një pankarte me mesazhin “Las Malvinas Son Argentinas” (“Ishujt Falkland janë argjentinas”), pas fitores ndaj Anglisë në gjysmëfinale.
Mesazhi i referohet konfliktit të vitit 1982 për Ishujt Falkland (Malvinas), ku humbën jetën gjithsej 907 persona: 649 ushtarë argjentinas, 255 ushtarakë britanikë dhe tre civilë.
Që nga ajo kohë, Argjentina ka vazhduar të pretendojë sovranitet mbi ishujt dhe disa futbollistë e ngritën pankartën pas fitores ndaj Anglisë në Atlanta.
FIFA e kishte gjobitur Argjentinën edhe në vitin 2014 për një veprim të ngjashëm, ndërsa tani ka nisur sërish procedura disiplinore.
Në deklaratën e FIFA-s thuhet se Federata Argjentinase po hetohet për shkelje të mundshme të disa neneve të Kodit Disiplinor, përfshirë përdorimin e një ngjarjeje sportive për demonstrime me karakter jofutbollistik, sjellje të pahijshme të ekipit, diskriminim, dështim në respektimin e protokolleve të ndeshjeve dhe sigurisë, shfaqjen e mesazheve të papërshtatshme nga ekipi dhe tifozët, si dhe hedhjen e sendeve në fushë nga spektatorët.
Cristian Romero, Lisandro Martinez dhe Giovani Lo Celso ishin tre futbollistët që u panë duke mbajtur pankartën, e cila dyshohet se ishte hedhur nga tribunat.
Sipas “The Sun”, Romero, Martinez, Lo Celso, Molina, Almada dhe Paredes mund të ndëshkohen me pezullime që do të ndikonin në pjesëmarrjen e tyre në Kupën e Botës 2030.
Edhe pse ende nuk ka një vendim përfundimtar për pezullime, një dënim i tillë, nëse vendoset, mund të zbatohet pikërisht në Botërorin e vitit 2030.
Ironikisht, Argjentina është një nga vendet bashkëorganizatore të turneut të 100-vjetorit të Kupës së Botës dhe do të presë një ndeshje në Buenos Aires.
Pasi nuk ka nevojë të luajë ndeshje kualifikuese për Botërorin 2030, ndeshja e parë zyrtare e Argjentinës në kompeticionet e FIFA-s mund të jetë pikërisht sfida hapëse e Kupës së Botës 2030, në rast se pezullimet hyjnë në fuqi.








