Instituti Hidrometerologjik ka njoftuar se gjatë fundjavës Kosova do të karakterizohet nga mot kryesisht me diell dhe temperatura të larta, ndërsa në disa zona priten zhvillime të vranësirave konvektive me reshje afatshkurtra shiu dhe stuhi lokale.
E shtunë, 8 gusht 2026
Moti do të jetë kryesisht me diell dhe i nxehtë. Gjatë mesditës dhe pasdites, në disa zona malore dhe lokalisht edhe në ultësira, pritet zhvillim i vranësirave që mund të sjellin reshje të shkurtra shiu, shkarkesa rrufesh dhe erëra të përforcuara në zonat ku paraqiten këto dukuri.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 12 deri në 16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 29 deri në 34 gradë Celsius. Era do të fryjë nga verilindja, e lehtë deri mesatare, me shpejtësi prej 1 deri në 9 m/s, ndërsa gjatë proceseve konvektive mund të ketë intensifikime të përkohshme.
Sipas parashikimit, temperaturat më të larta do të regjistrohen në disa qytete si Prizreni dhe Gjakova me 34°C, ndërsa në Prishtinë, Pejë, Istog, Kamenicë dhe Malishevë priten deri në 33°C.
E diel, 9 gusht 2026
Edhe dita e diel do të mbetet kryesisht me diell dhe me temperatura të larta. Pasdite, në zona të izoluara mund të zhvillohen vranësira që mund të sjellin reshje shiu dhe stuhi afatshkurtra. Në zonat ku do të ketë reshje, temperaturat mund të pësojnë ulje të përkohshme.
Temperaturat minimale pritet të jenë nga 13 deri në 18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 29 deri në 34 gradë Celsius.
Kujdes nga temperaturat e larta
AMMK ka bërë të ditur se kushtet biometeorologjike vazhdojnë të jenë të pafavorshme për shkak të temperaturave të larta dhe indeksit të lartë të rrezatimit ultraviolet.
Personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe fëmijët këshillohen të kufizojnë qëndrimin dhe aktivitetet në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Paralajmërim për fermerët
Mungesa e reshjeve të shpërndara në mënyrë të barabartë do të vazhdojë të ndikojë në uljen e lagështisë së tokës. Reshjet lokale nuk pritet të sjellin përmirësim të ndjeshëm të bilancit ujor për kulturat bujqësore.
Fermerët këshillohen të vazhdojnë ujitjen sipas nevojave të kulturave dhe të planifikojnë punimet agroteknike jashtë periudhave me temperatura maksimale.








