Francë-Argjentinë sërish në finale? Logjika thotë po, por Bellingham dhe Yamal mund të përmbysin gjithçka

Nuk do të ketë asnjë anëtar të ri në “Klubin” me “K” të madhe; atë klub ekskluziv ku bëjnë pjesë vetëm kombëtaret që kanë fituar Kupën e Botës. Çerekfinalet nuk prodhuan surpriza të mëdha dhe tani janë formuar dy gjysmëfinale elitare: Franca (2 tituj botërorë) kundër Spanjës (1 titull) dhe Anglia (1 titull) përballë Argjentinës (3 tituj). Në total, në fushë do të jenë 7 Kupa Bote.

Mungojnë tri kombëtaret rekordmene; Brazili, Italia dhe Gjermania, por Lionel Messi mund ta udhëheqë Argjentinën drejt një klubi edhe më ekskluziv, duke e çuar në kuotën e katër titujve botërorë.

Duke u bazuar te rrugëtimi i deritanishëm, finalja më e mundshme mbetet Francë–Argjentinë, e cila do të ishte edhe e vetmja finale e përsëritur, pasi do të sillte revanshin e finales së katër viteve më parë. Tri finalet e tjera të mundshme; Francë–Angli, Spanjë–Argjentinë dhe Spanjë–Angli do të ishin krejtësisht të paprecedenta në historinë e Kupës së Botës.

Francë-Spanjë, përvoja kundër rinisë
Të martën, më 14 korrik, në Dallas zhvillohet gjysmëfinalja e parë, një duel tërësisht europian mes Francës dhe Spanjës. Bazuar në atë që është parë deri tani, favoritë të lehtë konsiderohen nënkampionët në fuqi të botës:

Franca – 55%
Spanja – 45%

Potenciali ofensiv i Francës është shkatërrues. Edhe nëse Kylian Mbappé bllokohet, rreziku mund të vijë nga Ousmane Dembélé, Michael Olise, Bradley Barcola apo Désiré Doué, pavarësisht zgjedhjes që do të bëjë Didier Deschamps. Të gjithë janë futbollistë jashtëzakonisht, të vështirë për t’u markuar, pasi nuk iu japin pika referimi mbrojtësve kundërshtarë.

Spanja nuk kishte pësuar asnjë gol deri në çerekfinale, por Belgjika i dha fund kësaj serie dhe tregoi se si mund të krijohen raste përballë Unai Simón. Në anën e Francës qëndron përvoja. Disa lojtarë të saj synojnë finalen e tretë radhazi të Kupës së Botës, ndërsa Spanja mbështetet te freskia dhe guximi i rinisë. Dhe, mbi të gjitha, te Lamine Yamal, i cili ende nuk e ka shfaqur versionin e tij më të mirë.

Argjentinë–Angli, duel me peshë historike
Të mërkurën, më 15 korrik, në Atlanta do të shkruhet një tjetër kapitull i historisë së futbollit. Kanë kaluar plot 60 vite nga i vetmi titull botëror i Anglisë, i fituar në shtëpi, por edhe 40 vite nga përballja legjendare e Botërorit 1986 në stadiumin “Azteca”, ndeshja e famshme e “Dorës së Zotit” dhe golit të shekullit të Diego Armando Maradonës.

Pikërisht kjo është arsyeja që anglezët e shohin këtë sfidë si mundësinë ideale për të marrë hak në një përvjetor kaq simbolik. Megjithatë, favoritë mbeten amerikano-latinët.

Argjentina – 52%
Anglia – 48%

Diferenca mes dy skuadrave është minimale. Argjentina e sotme mbështetet te një gjeni i futbollit, Lionel Messi, tashmë pranë të 40-ave, dhe një grup lojtarësh të nivelit të lartë, disa prej të cilëve nuk janë më në kulmin e moshës.

Anglia, nga ana tjetër, ka të paktën dy superyje: Harry Kane dhe Jude Bellingham. Kur kapiteni nuk funksionon, siç ndodhi në çerekfinale ndaj Norvegjisë, përgjegjësinë e merr Bellingham.

Pothuajse në çdo repart, ndoshta me përjashtim të rolit të organizatorit, ku Declan Rice nuk ka një zëvendësues të mirëfilltë, Anglia ka alternativa cilësore. Nuk është rastësi që në kohën shtesë ndaj Norvegjisë, futja e Djed Spence dhe Morgan Rogers solli ndikim të menjëhershëm pozitiv.

Gara për “Këpucën e Artë”
Paralelisht me luftën për trofeun botëror, vazhdon edhe gara për titullin e golashënuesit më të mirë të turneut. Aktualisht renditja është kjo:

Lionel Messi (Argjentina) – 8 gola

Kylian Mbappé (Franca) – 8 gola

Erling Haaland (Norvegjia) – 7 gola

Harry Kane (Anglia) – 6 gola

Jude Bellingham (Anglia) – 6 gola

Ousmane Dembélé (Franca) – 5 gola

Nga tri vendet e para të renditjes, vetëm Haaland është eliminuar dhe nuk mund të konkurrojë më për këtë çmim.

Nga 4 gjysmëfinalistët, vetëm Spanja nuk ka një golashënues dominues. Në fakt, ajo është skuadra më “kolektive” e këtij Botërori, me Mikel Oyarzabal që kryeson listën e saj të realizuesve me vetëm 4 gola.

Edhe “Topi i Artë” është në lojë
Në garë është edhe “Topi i Artë”. Fituesi i Kupës së Botës pritet të ketë një ndikim të madh në vendimin përfundimtar për këtë çmim prestigjioz individual.

Kandidatët kryesorë janë pothuajse të njëjtët emra që kryesojnë renditjen e golashënuesve, por në këtë listë duhet shtuar edhe Lamine Yamal.

Talenti spanjoll ende nuk ka shfaqur potencialin e tij maksimal, pasi vazhdon të vuajë pasojat e një dëmtimi serioz. Megjithatë, në momentet kur është ndezur, ai ka treguar gjithë klasin e tij të jashtëzakonshëm.

Tani që turneu hyn në fazën vendimtare, pritet të shohim sërish futbollistin spektakolar që mahniti Europën në ndeshjet më të mëdha të Ligës së Kampionëve. Dhe pikërisht këtu, faktori Lamine Yamal mund të ndryshojë gjithçka.

The post Francë-Argjentinë sërish në finale? Logjika thotë po, por Bellingham dhe Yamal mund të përmbysin gjithçka appeared first on Telesport.