Vërshimet e para dy javëve prekën shumë komuna të Kosovës.
Për të gjithë ata që u dëmtuan, qeveria premtoi kompensim. Këtë javë, tashmë ekzekutivi në detyrë, ndau 1 milion Euro në ndihmë të familjeve që iu dëmtuan objektet e banimit, njofton Klan Kosova.
Por, kjo shumë nuk po u duket e mjaftueshme institucioneve lokale që janë ende duke vlerësuar dëmet. Vetëm në Drenas, dëmet në shtëpitë e banimit përbëjnë një të pestën e kësaj ndihme.
”Presim nga qeveria dhe ministritë e linjës të bëhet kompensimi për të dëmtuarit pasi që komuna nuk ka një kod buxhetor për t’i kompensuar dëmet nga vërshimet. Janë dhjetëra komuna që kanë pasur dëme nga vërshimet dhe këto mjete janë të pamjaftueshme për t’i mbuluar ato”, deklaron për Klan Kosova, Bekim Dobra, zëdhënës nga Komuna e Drenasit.
Njësoj tha në telefon edhe zëdhënësi i komunës së Malishevës, Artan Paçarizi, i cili paralajmëroi se do të kërkojnë nga qeveria të kompensohen të gjitha dëmet e shkaktuara nga reshjet.
Telashe në objekte banimi ka edhe në Fushë Kosovë.
”Llogaritet që uji brenda në shtëpi uji ka hyrë në 100 shtëpi me të cilat natën kritike që kanë të vërshuara së bashku me Forcën e Sigurisë së Kosovës, zjarrfikësit dhe ne e kemi bërë evakuimin e tyre shtëpive dhe kryesisht janë vendosur tek të afërmit e tyre”, thotë Fadil Krasniqi, nënkryetar i komunës së Fushë Kosovës.
Sipas vendimit qeveritar, dëmet e infrastrukturës do të mbulohen nga buxhetet komunale, ndërsa ato në bujqësi nga Ministria e Bujqësisë.
Sipas Meriton Ramabajës nga komuna e Kamenicës, dëmet në këtë qytet nuk mund të mbulohen me këtë formë.
”Shuma prej 1 milion euro është e qartë se nuk është e mjaftueshme për të gjitha komunat, edhe pse si Kamenicë dëmet më të mëdha i kemi në infrastrukturë. Shpresojmë se kjo vlerë do të rritet sepse me buxhet komunal është i pamundur kompensimi i dëmeve”, thotë ai.
Ndihma për kategoritë e prekura prej vërshimeve ndahet nga Fondi Emergjent Qeveritar.